Ekonomi

Pse pandemia nuk ka dëmtuar remitancat e Amerikës Latine?

Në disa vende punëtorët migrantë po dërgojnë më shumë para në shtëpi këtë vit. Kjo mund të jetë një shenjë e keqe

Emigrantët që jetojnë  në vendet me nivele të larta të COVID-19 kanë pasur një vit veçanërisht të vështirë. Në të gjithë botën e pasur, papunësia në mesin e punëtorëve të huaj është rritur më shpejt sesa mes pjesës tjetër të popullsisë. Emigrantët kanë më shumë të ngjarë të punojnë në industri të prekura më rëndë nga pandemia, të tilla si mikpritja dhe ndërtimi. Në Amerikë, punësimi midis emigrantëve ra me 21% në prill krahasuar me shkurtin; për punëtorët vendas rënia ishte vetëm 14%. Fatkeqësia e tyre ka një efekt zinxhir. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, një në nëntë njerëz në të gjithë botën mbështeten te paratë që punëtorët emigrantë dërgojnë në shtëpi.

Në prill, Banka Botërore parashikoi që këto dërgesa do të bien me 20% këtë vit krahasuar me 2019. Kjo do të ishte sa katërfishi i rënies në përqindjes të 2009-ës,  të shkaktuar nga kriza financiare globale. Por muajin e kaluar banka bëri një korrigjim. Remitancat në vendet me të ardhura më të ulëta dhe të mesme do të tkurren me vetëm 7% këtë vit. Në Amerikën Latine, rënia llogaritet akoma edhe  më e vogël, 0.2%. Pse?

Vendet e Amerikës Latine që varen nga të ardhurat e emigrantëve ( është e barabartë me 21% të PBB-së së El Salvadorit, për shembull) raportojnë se flukset mujore të remitancave,  jo vetëm që janë rikuperuar që nga prilli, por kanë qenë më të larta se një vit më parë. Paratë janë dërguar kryesisht nga emigrantët në Amerikë dhe Spanjë; ata në vendet e tjera dërguan relativisht më pak. Arsyet e rritjes janë të ndryshme. Të ardhurat e shumë emigrantëve u rritën nga ndihmat qeverityare të shteteve respektive ku jetojnë, si stimuj ndaj krizës që shkaktoi pandemia. Ndërsa dollari dhe euro u rritën, monedhat e Amerikës Latine u zhvlerëzuan.Situatat e këqija që po kalojnë familjarët në vendet e origjinës, mund të kenë inkurajuar emigrantët të dërgojnë më shumë para, teksa kursi i këmbimit ishte i leverdisshëm. Shërbimet dixhitale për të dërguar para janë një përfitim më tepër, të cilat janë më të lira dhe më të lehta për tu gjurmuar sesa transferimet tradicionale të parave.

Një numër i madh emigrantësh gjithashtu, me vendim ose në nevojë, po kthehen në shtëpi. Të dhëna të sakta nuk janë ende në dispozicion, por Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin, një organ i Kombeve të Bashkuara, vlerësoi gjatë verës se rreth 3 milion emigrantë ishin bllokuar në të gjithë botën. Ndërsa kufizimet e udhëtimit janë hequr, Banka Botërore ka vërejtur një rritje të numrit të atyre që shkojnë në shtëpi. Disa kanë dërguar kursimet e tyre të fundit përpara se të nisin udhëtimin, gjë që mund të shpjegojë rritjen e shpejtë të dërgesave në Meksikë në mars. Ose, situata paraqitet më e zymtë, teksa një pjesë e emigrantëve mund të kenë vdekur nga COVID-19, kursimet e tyre mund të jenë dërguar nga të tjerët në emër të tyre: Hispanikët përbëjnë rreth 15%, më shumë se 270,000  të viktimave në Amerikë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve .

Megjithëse remitancat në Amerikën Latine janë mbajtur mirë gjatë muajve të fundit, Banka Botërore mendon se kjo prirje nuk ka gjasa të zgjasë në Vitin e Ri. Ajo pret që totali të bjerë me 8.1% në 2021, kryesisht për shkak të perspektivave të dobëta të punësimit. Kjo është një rënie më e madhe se 7.5% që parashikon për botën në tërësi. Nëse banka rezulton të ketë të drejtë, emigrantët e Amerikës Latine dhe të afërmit e tyre në shtëpi, do ta kenë përballuar mirë këtë krizë, për t’u përballur mandej me një të re. / The Economist /Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë