Trend

Një mashkull, artist thonjsh. Si është të bësh “punë femrash” në Shqipëri

Nga Sorgena Leka- Çdo herë e më shumë po shohim femra që zgjedhin të bëjnë thonjë me xhel, tipsa apo manikyr xhel. Por sa nga ju e dini se në Shqipëri, ku trendi i thonjve është deri diku i ri, është një djalë, 27-vjeçar që ka thyer barrierat dhe tashmë ka 2 vite e gjysëm që ushtron profesionin e “nail artist-it”?
Lulëzim Prenga është ndoshta një ndër të vetmit meshkuj, edhe pse nuk njohim të tjerë, por mund të ketë, i cili papritur e gjeti veten duke zgjedhur ngjyrën që do të përdorë në thonjtë e klientes së radhës.


“Motra ime punonte si nail artiste, por u martua dhe shkoi të jetonte në Itali” tregon Luli.
Këtu nisi historia e tij. Në atë moment motra i propozoi që punën e saj ta vazhdonte ai, një propozim që “erdhi si një shaka pasi motra nuk donte të humbte klientet.”

Por asgjë nuk mbeti në formën e shakasë. Luli mësoi nga e motra për çdo gjë që lidhej me thonjtë. Sot madje e kishim të vështirë të gjenim një kohë kur Luli të ishte i lirë për të folur. Ai ka arritur të fitojë shumë, më shumë se një rrogë mesatare dhe të jetë një ndër më të kërkuarit.

E kërkojnë për faktin se është i aftë apo se është mashkull?


Luli i thotë Gazetës “Si” se janë të dyja të ndërthurura me njëra-tjetrën.
“Shumë kliente që vijnë për herë të parë më thonë se vijnë sepse mendojnë se meshkujt janë më të kujdesshëm dhe bëjnë punë më të përsosur.” thotë Luli.

Tani ai ka lënë mbas krahëve sikletin që ka pasur në fillim. Madje, mund të themi se i pëlqen fakti se po bën diçka ndryshe dhe “është një sukses” për të.
Ai tregon për Gazetën “Si” se pikërisht kjo e veçantë i ka shtyrë femrat të jenë kurioze dhe të vizitojnë sallonin e tij që ndodhet në zonën e Astirit.
“Femrat çuditeshin me faktin se si mund të punojë një mashkull me thonjë, por fatmirësisht nuk jam paragjykuar, madje kam marrë shumë komplimente çka dhe më kanë nxitur të vazhdoj” tregon ai.


Të vazhdojë deri ku?
Luli na tregoi se tani, me datë 1 dhjetor do të hapë një sallon të ri pasi ai që ka, nuk ka hapësirën e mjaftueshme dhe “duhet një sallon më i madh për të përballuar punën dhe për të rritur dhe numrin e kursanteve”.
Luli bën kurse profesionale dhe vajzat që duan të mësojnë nga ai shtohen çdo herë e më shumë prandaj duhej një ambient më i madh.
Ai ishte i lumtur me atë që kishte zgjedhur të bënte? Kjo u kuptua në çdo fjalë që thoshte. Është dhe shumë i zoti duke parë sa kliente erdhën në sallonin e tij ndërkohë që ne flisnim. Është i veçantë? Padyshim po, do vazhdojë të jetë deri kur të shohim dhe shumë meshkuj të tjerë që janë artist thonjsh.
Deri atëherë, Luli është vetë zot, vetë shkop në artin e thonjve nga një mashkull.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë