Politike

Kuvendi do të hetojë “burgjet dhe krimet” e UÇK-së në Shqipëri

Partia Socialiste do të ngrejë një Komision Hetimor Parlamentar për të hetuar pretendimet për ekzistencën e burgjeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në territorin e Shqipërisë, ku sipas akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale e Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit janë kryer krime lufte.

Propozimi është depozituar në Kuvend nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla. Komisioni do të ketë si objekt hetimor edhe akuzat e paprovuara ndonjëherë të Dick Marty-t në lidhje me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, ku sipas tij kryhej trafiku i organeve.

Në këtë pjesë, Komisioni mund të thërrasë për të dëshmuar të gjithë personat që kontribuan në hartimin e këtij raporti, mes të cilëve, Kryeministri Edi Rama ka renditur ditët e fundit edhe kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Paralel me nismën në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS-së publikoi në rrjetet sociale disa dëshmi nga masakra e Krushës së Madhe, duke akuzuar kreun e PD-së, Lulzim Basha se ka fshehur një kasetë filmike nga krimi i asaj kohe.

“Një ndër masakrat më të mëdha serbe ndaj popullit të Kosovës është ajo e Krushës. E vetmja kasetë filmike e plotë e kësaj masakre, sipas poseduesit të saj Milaim Bellanica, ia kishte dorëzuar Lulzim Bashës, në atë kohë punonjës/përkthyes i UNMIK. Kjo kasetë e plotë nuk u publikua kurrë dhe mbetet mister pse Lulzim Basha nuk e vuri në dispozicion të hetimeve për krimet serbe në Kosovë. Milaim Bellanica është dëshmitar i masakrës së Krushës së Madhe, i cili mundi të filmonte ekzekutime, fjalime të ndryshme të serbëve në Krushë të Madhe. I bëj thirrje Lulezim Bashës të përgjigjet sot ku e ka fshehur këtë kasetë filmike dhe t’ia kthejë këtë provë të rëndësishme Kosovës dhe drejtësisë!”, tha Balla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë