Politike

Meta paralajmëron shpërndarjen e Parlamentit dhe të Qeverisë

“Presidenti do të gjejë kohën e duhur për të dhënë përgjigjen e duhur së bashku me popullin”. Me këto fjalë iu përgjigj Presidenti Ilir Meta nismës së bërë publike nga ana e mazhorancës për të rregulluar me ligj kompetencat e tij.

Meta foli nga qyteti antik i Bylisit ku mori pjesë në një aktivitet kulturor. Këtu jo vetëm përsëriti bindjen e tij se Parlamenti është jokushtetues, por është edhe i mbushur me mercenarë dhe tradhtarë.

“Kam zero interes për çdo draft dhe përpjekje puçiste. Ju e dini që ky është një Parlament jokushtetuese. Është një Parlament, që kudo ku dal takoj qytetarët më kërkojnë shpërndarjen e tij. Është një Parlament puçistësh dhe pjesa më e madhe e tyre janë mercenarë dhe tradhtarë”, u shpreh ai.

Presidenti thotë se ai vetë ka nisur rrugëtimin drejt 25 prillit, që e cilëson si referendum që do të vendosë për të ardhmen e vendit.

“Kam nisur rrugëtimin tim drejt 25 prillit. Do të jetë një referendum i qartë, pasi mbi 95 për qind e shqiptarëve do të votojnë për Shqipërinë në Europë”, deklaroi Meta.

Kreu i shtetit u pyet në lidhje me protestën e naftëtarëve. Tha se e vetmja gjë që mund të bënte ai ishte shpërndarja e Parlamentit dhe e Qeverisë, që e cilësoi mizore, por tha se nuk ishte ky momenti.

“E vetmja zgjidhje që mund të bëjë Presidenti është të shpërndajë Parlamentin dhe Qeverinë për një problem social. Nuk mendoj se ky është momenti për t’i dhënë përgjigjen e merituar një Qeverie çnjerëzore shpërndarë një qeveri mizore ndaj problemeve të tyre. Korrupsioni pa fre dhe mungesa e përgjegjësisë ndaj problemeve të njerëzve është një dimension i përditshëm i kësaj qeverie dhe Presidenti, për të gjithë këtë neglizhencë që u bëhet të gjitha shtresave të shoqërisë sonë, do të gjejë kohën e duhur për t’i dhënë përgjigjen e duhur me të gjithë popullin shqiptar”, deklaroi Meta.

Presidenti u pyet edhe në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë. Ai e cilësoi Gjykatën Speciale një investim të Serbisë dhe aleatëve të saj, që pavarësisht përpjekjeve nuk do të arrijë që të njollosë luftën për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Meta komentoi edhe zgjedhjet në SHBA, për të cilat tha se fituesi nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve, që i vlerëson si të shkëlqyera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë