Rend dhe Ligj

Afatet e mandateve të anëtarëve të KLP-së shkaktojnë amulli

Kuvendi është ndeshur në një situatë të pazakontë dhe “amulli” ligjore të shoqëruar edhe me debate, që Gazeta “Si” mëson se kanë ndodhur brenda administratës lidhur me kohën e përfundimit të mandateve të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Gjithçka ka nisur më 8 tetor, kur Kuvendi nxorri shpalljen për hapjen e dy vendeve vakante për anëtarët pedagogë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Dokumenti, që mban firmën dhe vulën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit i referohej parashikimit të afateve kohore të nenit 37 të ligjit për organet e sistemit të drejtësisë.

Sipas këtij neni, Kuvendi duhej të shpallte garën në faqen zyrtare jo më vonë se 4 muaj para datës së mbarimit të mandatit 3-vjeçar të anëtarëve pedagogë të KLP-së dhe KLGj-së. Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi dhe anëtari Sandër Beçi u zgjodhën anëtarë të KLP-së në seancën e Kuvendit të datës 8 shkurt të 2018-ës, mes akuzave të forta të opozitës, që në atë kohë ndodhej në Parlament, se nuk plotësonin kriteret ligjore.

Faksimile e njoftimit të Kuvendit

Data 8 tetor, kur Kuvendi nxorri njoftimin për këto dy vakanca në KLP përkonte fiks me afatin kohor prej katër 4 muajsh para nga përfundimi i mandatit të kryetarit të KLP-së të tyre…të paktën sipas përllogaritjeve të Kuvendit.

Por, çfarë ndodhi? Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh pesë ditë pas këtij njoftimi të Kuvendit dhe me shumicë votash vendosi (LINK) që mandati 3-vjeçar i dy anëtarëve në fjalë nuk ka nisur më 8 shkurt 2018, por më 19 dhjetor 2018, si dita kur ky institucion u plotësua dhe filloi punën. Rrjedhimisht, KLP thotë se mandati i tyre nuk përfundon në shkurt 2021, por në dhjetor 2021.

Fill pas këtij votimi në KLP, Gazeta ‘Si” mëson se në Kuvend ka pasur debate brenda administratës së këtij institucioni nëse mandatet përfundojnë më 8 shkurt 2021, apo më 19 dhjetor 2021.

Në fund, Kuvendi ka vendosur që të tërhiqet fare nga hapja e këtyre vakancave, duke njohur interpretimin ligjor të dhënë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për përfundimin e mandateve të anëtarëve të KLP-së dhe KLGj-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë