Policia e Korçës arreston dy persona të cilët u kapën në flagrancë duke transportuar 30 emigrantë të paligjshëm.
Sipas policisë, njëri prej të arrestuarve drejtonte mjetin pa leje drejtimi, ndërsa një person tjetër, që nuk iu bind urdhrit të Policisë, është shpallur në kërkim.
Policia thotë se është arrestuar shtetasi M. B., 20 vjeç, si edhe u shpall në kërkim shtetasi E. M., 23 vjeç, banues në Vorë, Tiranë, të cilët janë kapur pranë vendit të quajtur “Tyrbja e Gocës”, Maliq, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin fugon tip “Benz”, 29 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit nga 300 deri në 1300 euro për person, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
“Shtetasi M. B. rezultoi se drejtonte mjetin pa leje drejtimi, ndërsa shtetasi E. M., i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, nga verifikimet e kryera rezulton bashkëpunëtor i dyshuar i 20-vjeçarit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjithashtu është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi G. M., 44 vjeç, banues në Libonik, Maliq, i cili u kap nga forcat e Policisë pranë vendit të quajtur “Guri i Kuq”, Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, një emigrant të paligjshëm, të cilit kundrejt shpërblimit prej 200 euro, i kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.