Patrullat e policisë do të vëzhgojnë me rreptësi hapësirat publike dhe ambientet e tjera ku pas ditës së enjte do të vendoset me detyrim mbajtja e maskave për qytetarët. Për ata që do të kapen pa maskë, gjoba do te jete në masën e 3 mijë lekëve, ka mësuar TV Klan.
Paralajmërimi është dhënë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
“Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar që të mbajë maskë që në momentin që del nga dera e shtëpisë së tij. Patrullat policore do të monitorojnë ambientet dhe hapësirat publike, ku nga e enjtja është e detyruar mbajtja e maskës”, tha Veliu.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se për të gjitha rastet policia do të zbatojë kuadrin ligjor për masat ndëshkimore ndaj qytetarëve. Në fund, Veliu kërkoi nga qytetarët bashkëpunim me policinë dhe të respektojnë masat anti-Covid.
“Rastet e shtetasve të infektuar me COVID-19 kanë shënuar një rritje të lehtë, sipas të dhënave nga Shëndetësia. Një rritje e tillë e të infektuarve po vërehet edhe në shumë vende të botës. Disa prej këtyre shteteve kanë nisur marrjen e masave të forta për parandalimin e infeksionit. Edhe në vendin tonë kanë nisur të merren disa masa në mënyrë që të pengohet përhapja masive e virusit. Duke filluar nga dita e enjte, çdo qytetar është i detyruar të mbajë maskën mbrojtëse që në momentin kur del prej shtëpisë së vet. Kjo masë është në përputhje me udhëzimet e dala nga autoritetet shëndetësore. Mbajtja e një maske në fytyrë ul në mënyrë të ndjeshme rrezikun e përhapjes së infektimit.
Qëllimi kryesor është të mbrojmë popullatën nga rreziqet që paraqet virusi. Së dyti, me marrjen e një mase të tillë, synojmë edhe të shmangim një mbyllje si ajo e pranverës së këtij viti. Për qytetarët është më e lehtë të mbajnë një maskë dhe të zbatojnë rregullat e distancimit social, sesa t’u nënshtrohen kushteve të rrepta të mbylljes.
Policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e Shëndetësisë. Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës Duke përfituar nga rasti ftoj qytetarët që, siç kanë dëshmuar më herët në masë të madhe vullnetin për bashkëpunim, të respektojnë masat dhe të mbështesin autoritetet policore në zbatimin e këtij detyrimi.
Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale. Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre. Ndaj duke besuar se qytetarët do të jenë në krahun tonë, për t’i minimizuar efektet e pandemisë, bëj thirrje që të gjithë bashkë të tregojmë se vetëm duke respektuar rregullat mund të ndërpresim zinxhirin e transmetimit të këtij virusi të rrezikshëm”, tha Veliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


