Rend dhe Ligj

Vrasja e të rinjve në Malësi të Madhe, arrestohet babai i autorit të dyshuar

Arrestohet babai i autorit të dyshuar për vrasjen e dy të rinjve në Malësinë e Madhe. Bëhet fjalë për Rrok Pepajn, babain e autorit të dyshuar, Danjel Pepaj.

Policia e Shkodrës në një informacion zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Vrith të Malësisë së Madhe, ku u gjetën të vrarë dy të rinjtë Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj thotë se u organizuan grupe kontrolli në të gjithë zonën duke përdorur edhe dronë.

Policia thotë se nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas ishin vrarë me armë zjarri. Gjithashtu, nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe kontrollit përreth vendit të ngjarjes u gjetën të kultivuara 29 bimë kanabis.

Ndërkohë, babai i autorit të dyshuar, Rrok Pepaj u arrestua për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e tij Danjel Pepaj, 25 vjeç, në fshatin Vrith, Malësi e Madhe janë personat që kanë kultivuar 29 bimët narkotike të gjetura në vendin e ngjarjes.

Ndërsa Danjel Pepaj është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”. Po ashtu mësohet se ka qenë babai i tij ai që e ka çuar policinë në parcelat me kanabis, ndërsa kjo e fundit pas hetimeve ka arrestuar të moshuarin.

Dy të rinjtë Klement Pepaj e Vilson Çutaj, të cilët dyshohet se janë ekzekutuar nga Danjel Pepaj pas një sherri për parcelat me kanabis u gjetën ditën e djeshme.

Danjel Pepaj i akuzuar nga kushërinjtë e tij për vjedhje kanabisi, i ka dhënë ditën e ngjarjes pas torturës 30 rrënjë kanabisi Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt.

Sapo kanë dalë nga parcela e tij, Danjel Pepaj ka qëlluar dy kushërinjtë, Klement Papajn në ballë dhe nga mbrapa Vilson Çutajn në brinjë.

Të dy kanë gjetur vdekjen. Më pas ai i ka vendosur flakën gjithë parcelës së tij dhe u largua menjëherë, teksa la trupat e pajetë të kushërinjve pak metra larg.

Në datën 3 tetor të tre kushërinjtë janë shpallur të zhdukur teksa rezultoi se ngjarja e kishte zanafillën tek konflikti për kanabisin, Klement Pepaj dhe Vilson Cutaj akuzonin Danjel Pepajn se u kishte vjedhur kanabis nga parcela e tyre në zonën malore të Vrithit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë