Rend dhe Ligj

Do të rrëmbenin Guvernatoren, FBI prangos 6 ekstremistë

Guvernatorja e Miçiganit, Gretchen Whitmer

FBI thotë se ka parandaluar një komplot të pashoq për rrëmbimin dhe më pas gjykimin për tradhti të Guvernatores së Miçiganit, Gretchen Whitmer.

Në pranga kanë përfunduar gjashtë persona aktivistë të grupeve ekstremiste të djathta që kanë qenë të pakënaqur me masat shtrënguese anti-Covid të vendosura nga Guvernatorja.

Ata akuzohen se kishin planifikuar ta rrëmbenin Whitmer në shtëpinë e saj të pushimit për të ndalur atë që e cilësojnë si “pushtet absolut” të Guvernatores.

Sipas aktakuzës së hetuesve federalë, grupi i ekstremistëve po komplotonin prej muajsh dhe të paktën në muajt gusht dhe shtator kanë provuar skenarin e rrëmbimit.

Guvernatorja Whitmer disa muaj më parë është vënë në qendër të kritikave të Donald Trump për masat shtrënguese ndaj koronavirusit. Përplasja e saj me Presidentin shkoi deri atje sa Trump t’u bënte thirrje qytetarëve të Miçiganit që ta çlironin vendin nga guvernatorja e tyre.

Pak pas arrestimeve të FBI, vetë Whitmer fajësoi pjesërisht Presidentin Donald Trump, duke vënë në dukje se ai nuk i dënoi ekstremistët në debatin e javës së kaluar me rivalin demokrat Joe Biden, por i ftoi që të kenë durim.

“Grupet e urrejtjes i dëgjuan fjalët e presidentit jo si një qortim por si një thirrje për mobilizim, si një thirrje për veprim. Kur udhëheqësit tanë flasin, fjalët e tyre kanë rëndësi. Ato mbajnë peshë”, tha Whitmer.

FBI përdori informatorë dhe agjentë të infiltruar për të parandaluar komplotin e pretenduar.

Personat janë identifikuar me emrat: Adam Fox, Ty Garbin, Kaleb Franks, Daniel Harris, Brandon Caserta nga Miçigani dhe Barry Croft nga Delauer.

Të gjashtë personat u arrestuan të mërkurën në mbrëmje dhe secili mund të përballet me burgim të përjetshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë