Këshilli i Lartë Gjyqësor u ka bërë thirrje gjyqtarëve që përmbushin kriteret formale ligjore dhe që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar duke u konfirmuar në detyrë, të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.
Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të mandatit, i garantohet e drejta për t’u caktuar në një detyrë tjetër të barabartë ose të përafërt.
“Duke mbajtur në konsideratë dispozitat e ligjit të posaçëm për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në përfundim të mandatit, i garantohet e drejta për t’u caktuar në një detyrë tjetër të barabartë ose të përafërt. Referuar kësaj të drejte të njohur nga ligji, në rastin e magjistratit që zgjidhet dhe ushtron detyrën e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të dispozitave të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, në vlerësim të Këshillit, ai ka të drejtën që, në përfundim të mandatit, të sistemohet në një pozicion në sistemin gjyqësor, më së paku në pozicionin që ka mbajtur, përfshirë këtu kur është rasti, edhe caktimi në një pozicion në nivel apeli”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Nga ana tjetër, Këshilli thotë se “do të vijojë komunikimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, duke i propozuar ushtrimin e nismës për ndryshime ligjore, që do të garantojë të gjitha aspektet e statusit të magjistratit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



