Mendim

Si e shkërmoqi Aleksandër Vulin propagandën serbe për të përçarë shqiptarët

Vulin-Gazeta Si

Në dhjetor të 2018-ës, një gjykatë serbe ka dalë me vendimin se përdorimi i termit “shiptar” është politikisht jokorrekt, nënçmues dhe me ngjyrime të forta racizmi ndaj shqiptarëve dhe për këtë qëllim gjobiti një drejtues të gazetës “Informer”, që njihet si e afërt me Presidentin Aleksandër Vuçiç.

Megjithatë, ky vendim gjykate nuk e pengoi ministrin serb të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin që brenda një muaji ta përdorte plot gjashtë herë këtë term, megjithëse në Kushtetutën e Serbisë shqiptarët quhen “shqiptarë” dhe jo “shiptarë”.

“Nëse në të gjithë Serbinë gjen dikë që të ketë një mendim neutral, apo që të flasë pozitivisht për shqiptarët e Kosovës dhe në të njëjtën kohë t’i quajë ata “shiptarë”, ky do të ishte një fenomen, por unë mendoj se një njeri i tillë nuk ekziston”, deklaronte shkrimtari serb, Vladimir Arsenijeviç disa muaj më parë për “Radio Europa e Lirë”.

Vulin qartazi nuk bën pjesë tek ata që kanë mendim të mirë për shqiptarët dhe përdor këtë term. Ai vazhdimisht është mbrojtur duke thënë se “ata vetë (shqiptarët) e quajnë veten ‘shiptarë’”. Megjithatë, e gjithë arroganca e tij ofenduese, fyese dhe nënçmuese për shqiptarët ka një anë pozitive. Ai, nga injoranca, apo mllefi antishqiptar brenda një muaji shkërmoqi plotësisht përpjekjet shumëvjeçare serbe për të ndarë identitetin e shqiptarëve të Kosovës nga ai i shqiptarëve të Shqipërisë.

Termi “shiptar” është përdorur për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore dhe me të quheshin edhe në dokumentet zyrtare vetëm shqiptarët e Kosovës, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë quheshin “Albanci”, ose “Arbanasi”, terma më neutralë. Megjithëse në Beograd pretendojnë se ky term ka marrë kuptimin pezhorativ në vitet ’70-’80, e vërteta nuk është kështu. Shqiptarët në Kosovë e kanë kundërshtuar që në fillim, duke e kuptuar se përveçse i klasifikonte ata si “qytetarë të dorës së dytë” të ish-Jugosllavisë, synonte më shumë që të shkëpuste lidhjet e tyre me kombin shqiptar, duke krijuar një identitet të ri.

Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës në fillim të viteve ’70 kërkuan që të ndryshojë ky term, duke deklaruar se nuk mund të bëhet asnjë dallim mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës, sepse ata janë pjesë e një kombi. Kërkesa iu miratua dhe në Kushtetutën e vitit 1974, ata quheshin “Shqiptarë të Kosovës”.

Por, pavarësisht parashikimit kushtetues, përndjekja duke përdorur termin “shiptari” nuk u ndal, madje u thellua pas ardhjes në pushtet të Sllobodan Millosheviçit. E gjithë propaganda shtetërore serbe u përqëndrua fort në këtë periudhë në përpjekje për të krijuar bindjen se shqiptarët në Kosovë dhe ata në Shqipëri nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin, përmes përdorimit të emrave të ndryshëm identifikimit të tyre.

Sot, dy dekada nga përfundimi i luftës dhe rrëzimi i Millosheviçit, Aleksandër Vulin, vartësi i vartësit (Aleksandër Vuçiç) të Sllobodan Millosheviçit duke identifikuar me “shiptar” si shqiptarët në Kosovë, edhe ata në Shqipëri shkërmoqi të gjitha përpjekjet e bëra në Beograd për të ndarë një komb.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë