Policia e Fierit ka arrestuar 7 persona në dy operacione.
Gjatë operacionit antidrogë të koduar “Mërtishi” ranë në pranga 2 shtetas, të cilëve ju gjet dhe sekuestrua rreth 10 kilogramë lëndë narkotike gati për shitje.
“Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe falë veprimeve të shpejta operacionale, organizuan dhe finalizuan operacionin antidrogë të koduar ‘Mërtishi’, gjatë të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: J. Dh., 71 vjeç dhe M. Dh., 42 vjeç (babë e bir), banues në Mërtish, Divjakë, pasi gjatë kontrollit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 10 kg lëndë narkotike cannabis sativa të bëra gati për shitje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa gjatë operacionit “Shëtitësit”, u godit një grup që kryente vjedhjen e gomave të makinave në Lushnje, Fier e Durrës. Vihen në pranga 5 autorët e dyshuar si dhe sekuestrohen një pjesë e gomave të vjedhura.
“Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit:
E. H., 27 vjeç, banues në Patos dhe K. Sh., 21 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë”;
E. Xh., 19 vjeç, banues në Roskovec, për veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”;
P. A., 53 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”;
E. E., 34 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, vijon më tej njoftimi e policisë.
Sipas policisë, ka rezultuar se këto shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë autorë të 5 rasteve të vjedhjes së gomave të automjeteve të ndryshme në qytetin e Lushnjës, Fierit dhe Durrësit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



