Rend dhe Ligj

Sherri për kanabisin, zhduken 3 të rinj në Malësinë e Madhe

Policia e Shkodrës konfirmoi zyrtarisht zhdukjen e tre të rinjve në zonën e Malësisë së Madhe.

Me anë të një njoftimi, policia sqaron se dy ditë më parë, një shtetas ka bërë kallëzim se ka humbur kontaktet rreth orës 15:00 të ditës së shtunë me vëllanë e tij, Vilson Çutaj dhe me dy të afërmit, Klement Pepaj 21 vjeç nga fshati Vrith dhe Danjel Pepaj, 25 vjeç.

“Më datë 04.10.2020, rreth orës 17:30, në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe,  ka bërë kallëzim shtetasi O. Ç., banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, se ka humbur kontaktet me vëllain e tij shtetasin 37 vjeç, banues në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe, dhe me dy afërmit e tij (kushërinj) shtetasit 21 vjeç dhe 25 vjeç, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe. Shërbimet e Policisë pas kallëzimit të bërë nga shtetasi O.Ç, kanë nisur kontrollet për gjetjen e këtyre shtetasve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, familjarët e Klement Pepajt tregojnë momentet e fundit me djalin e tyre. Ata i kërkojnë policisë të gjejnë djalin e tyre një orë e më parë.

“Nga ora 04:00 e mëngjesit na erdhi policia dhe na pyeti për djalin. Nuk e dija se djali im nuk ishte në shtëpi”, thotë i ati.

Babai dhe nëna e Klementit kanë një thirrje edhe për ministrin Lleshaj: “Na e gjeni djalin një orë e më parë. I bëj thirrje ministrit të Brendshëm të urdhërojë krehjen e zonës të dimë çfarë ka ndodhur. Nëse ka vdekur të paktën të kemi kufomën”.

Babai thotë se sipas bisedave që ka dëgjuar në fshat djali i tij mund të jetë vrarë nga Danieli.

Vilsoni dhe Klementi janë kushërinj të afërt, ndërsa me Danielin janë kushërinj të largët.

Sherri mes tyre dyshohet se ka nisur për kultivimin e canabis sattiva në fshatin Vuç Shkurtaj të Malësisë së Madhe, një zonë e shpopulluar thuajse dhe me shumë pak banorë dhe një zonë me një reliev të vështirë malor e përshtatshme për kultivimin e canabisit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë