Kryepolici Ardi Veliu ka kujtuar sot në një ceremoni përkujtimore nënkomisarin shkodran, Simon Gjeta, i cili u vra në krye të detyrës.
“Sot jemi këtu për të kujtuar në këtë 5-vjetor të rënies në krye të detyrës, nënkomisarin Simon Gjeta, i cili shërbeu me nder për 17 vite me radhë në Policinë e Shtetit, por fatkeqësisht mbrëmjen e datës 3 tetor 2015, në fshatin Obot i Ri, në përpjekje për të neutralizuar dhe arrestuar një person të armatosur që kishte kryer plagosje me armë zjarri, ky i fundit i mori pabesisht jetën kolegut tonë të paharruar dhe luftoi kundër Policisë deri në orën 7 të mëngjesit të datës 4 tetor, derisa u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat Renea”, tha ai.
Simon Gjeta, në detyrën e komandantit të grupit të FNSH Shkodër, nuk preferoi të komandonte, por udhëhoqi grupin për të bërë të mundur kapjen e autorit të plagosjes, i cili hapi zjarr pabesisht mbi Policinë duke i marrë jetën komandant Gjetës.
Veliu u ndal edhe te disa ngjarje kriminale që kanë ndodhur javët e fundit ku është rrezikuar jeta e punonjësve të policisë.
“Ngjarja e Elbasanit ku u plagosën dy persona të pafajshëm dhe u rrezikua shumë seriozisht jeta e punonjësve të Policisë së Fushë Krujës dhe Tiranës, pasi persona me precedent kriminal dhe në kundërshtim me ligjin nuk iu bindën urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar në pikën e kontrollit, por reaguan duke plagosur dy punonjës policie në tentativë për t’u larguar, të cilët u prangosën pak minuta më vonë, apo vështirësia dhe rreziku gjatë kapjes së personave që qarkullonin me armë zjarri dhe atyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, tha ai.
Duke iu referuar këtyre situatave, Veliu theksoi se “nuk do të tërhiqemi përballë çdo vështirësie e rreziku”, teksa ftoi qytetaret të denoncojnë çdo paligjshmëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



