Rend dhe Ligj

Me shpejtësi deri në 202 km/h, policia pezullon 24 patenta

Policia ka vijuar me kontrollet edhe gjatë natës së kaluar, duke pezulluar disa leje drejtimi e ndëshkuar me gjoba shumë shoferë.

Sipas policisë, në aksin Sauk-Teg-Kashar janë kapur shoferë, që lëviznin me shpejtësi deri në 202 km/h.

24 Leje Drejtimi të pezulluara, nga këto 13 për shpejtësi deri 2.5 herë më shumë se norma e lejuar dhe 11 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

“Për 270 minuta kontroll me radar u pezulluan 13 patenta për shpejtësi nga 142 km/h deri në 202 km/h.
Ndërkohë kontrollet kanë vijuar dhe vijojnë në rrugët e kryeqytetit duke përdorur dragerat dhe si rezultat i kontrolleve deri në këto momente janë evidentuar 11 drejtues mjetesh duke drejtuar mjetet nën ndikimin e alkoolit në masë që varionte nga 0.35 mg/l deri 0.44 mg/l”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndër të tjera, policia apelon për të zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor për të mbërritur në destinacion të sigurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë