Rend dhe Ligj

Goditja e grupeve kriminale, Italia kërkon tryeza me policinë shqiptare

Italia kërkon organizimin e tryezave bashkëpunuese me Shqipërinë me qëllim rritjen e efikasitetit të forcës zbuluese dhe goditëse ndaj grupeve kriminale që veprojnë në dy vendet e më gjerë.

Kërkesa është bërë nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, por që është mbështetur edhe nga zv. Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, Italisë, Vittorio Rizzi gjatë një takimi me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Veliu dhe Rizzi kanë vlerësuar se këto marrëdhënie janë në kulmin e bashkëpunimit, por për të luftuar sa më në detaj krimin e organizuar duhet që këto marrëdhënie të shtrihen deri në nivele teknike, pasi vetëm kështu do kemi mundësi rakordimi dhe reagimi në kohë për çdo operacion apo hetim të përbashkët.

“Fabrizio Bucci gjatë fjalës së tij ka theksuar se vlerëson këtë bashkëpunim, pasi ky bashkëpunim është i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë dhe për këtë arsye ka kërkuar që në javët në vijim të organizohen tavolina bashkëpunimi mes dy drejtorëve të përgjithshëm të policisë me stafet teknike, duke bërë të mundur rritjen e efikasitetit të forcës zbuluese dhe goditëse ndaj grupeve kriminale që veprojnë në dy vendet e më gjerë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Ndërsa, drejtori Ardi Veliu në fjalën e tij ka theksuar se “viti 2019 dhe 9-mujori i vitit 2020 janë shumë pranë rezultateve në drejtim të bashkëpunimit, parandalimit, evidentimit dhe goditjes së personave apo grupeve kriminale, të zhvillimit të operacioneve të përbashkëta, të kapjes së personave në kërkim, të parandalimit e kultivimit të kanabisit, duke vlerësuar maksimalisht punën e Guardia di Finanza-s gjatë monitorimitt nga ajri, si dhe punën e pandërprerë të strukturave të Policisë së Shtetit në terren për këtë qëllim dhe kjo konkretizohet edhe me faktin se gjatë 9-mujorit të vitit 2020 kemi një sasi shumë të vogël, gati historike krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme të trafikuar drejt Italisë, çka tregon se Policia e Shtetit ka bërë një punë shumë të mirë parandaluese dhe se jemi në drejtimin e duhur”.

Në fund të takimit, kryepolici Veliu i ka akorduar Drejtorit të Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Policisë italiane Gjeneral Brigade Giuseppe Spina, “Certifikatë për shërbime të dalluara”, në shenjë vlerësimi për gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar Policisë së Shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë