Rend dhe Ligj

Kundërshtoi me dhunë punonjësin e Policisë, kapet i riu pas ndjekjes nga forcat “Shqiponja”

Një 27-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë në Tiranë, pas ndjekjes nga ana e forcave “Shqiponja” dhe “Shigjeta”.

Forcat “Shqiponja” dhe “Shigjeta” kishin ngritur një pikë kontrolli në zonën e ish-Fushës së Aviacionit, ku i kanë bërë thirrje një mjeti tip BMW për të ndaluar.

Policia sqaron se drejtuesi i kësaj makine nuk i është përgjigjur urdhrit dhe ka tentuar të arratiset, duke goditur me mjet punonjësin e Policisë, i cili ka marrë dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas disa minutash ndjekjeje, “Shqiponjat” kanë kapur dhe prangosur shtetasin A. G., 27 vjeç, banues në Tiranë.

27-vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe nga verifikimi i kryer ka rezultuar se drejtonte mjetin pa lejen përkatëse.

“Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. G., për veprat penale ‘Mosbindje e punonjësit të policisë’, ‘Kundërshtim i punonjësit të policisë me dhunë’ dhe ‘Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt’ dhe materialet procedurale iu dërguan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë