Rend dhe Ligj

Kontrolle nga toka dhe ajri në Vlorë, arrestohet kryeplaku dhe inspektori i një fshati

Policia e Vlorës ka arrestuar kryeplakun e një fshati dhe inspektorin e zonave të mbrojtura të këtij fshati, gjatë kontrolleve të fundit me dronë nga toka dhe ajri, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të tjerë.

Policia thotë se është vënë në pranga kryeplaku i fshatit Bolenë, shtetasi D. M., 69 vjeç dhe inspektori i zonave të mbrojtura në po këtë fshat shtetasi I. Gj., 64 vjeç.

Gjithashtu u shpallën në kërkim, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”, shtetasit:

Q. B., 77 vjeç dhe P. B., 41 vjeç, banues të dy në fshatin Bolenë, Vlorë.

Po ashtu kontrolle janë bërë edhe në fshatin Vërmik, ku është evidentuar një tjetër rast i tentativës për kultivim të kanabisit dhe janë asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa dhe në kërkim është shpallur shtetasi K. Ll., 47 vjeç, banues në lagjen “11 Janari”, Vlorë, me detyrë kryetar i fshatit Vërmik, Vlorë dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi A. K., 55 vjeç, banues në fshatin Ramicë, Vlorë, inspektor i pyjeve dhe kullotave në fshatin Vërmik, Vlorë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë kontrolluar territorin dhe nuk kanë dhënë informacion për kultivimin e bimëve narkotike.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë