Policia e Durrësit ka arrestuar në flagrancë një 47-vjeçar, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.
Ndërkohë, janë zbardhur dhe dokumentuar dhe 9 vjedhje të ndodhura kryesisht në zonën e plazhit.
Policia thotë se në sajë të operacionit “Navigatori” u arrestua në flagrancë shtetasi A. Q., 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi më datë 29 shtator 2020, gjatë natës, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ka thyer xhamin e automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit E. K., ku ka vjedhur disa sende personale.
Gjithashtu ka vjedhur pasqyrat e një mjeti në pronësi të shtetasit M. M.
“Ky shtetas dyshohet se është autor i 7 vjedhjeve të tjera të ndodhura gjatë muajit shtator në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës. Autori ka thyer xhamat e mjeteve I. G., E. T., M. P., M. C., F. A., Xh. R. dhe ka vjedhur navigator, pasqyra ose sende personale.
Gjithashtu ky shtetas dyshohet se më datë 22.09.2020, gjatë natës, në lagjen nr. 13, Durrës, ka thyer xhamin e një automjeti në pronësi të një institucioni shtetëror, ku ka marrë një palë çelësa”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan çelësa egzagonal që shërbenin për zbërthimin e navigatorëve dhe pasqyrave të mjeteve, pasqyrat e vjedhura të mjeteve dhe sende të tjera që shërbenin për kryerjen e vjedhjeve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



