Rend dhe Ligj

I theu këmbën fqinjes në Shkodër, Gjykata lë në burg Hilë Simonin

Gjykata e Shkodrës ka lënë në burg 50-vjeçarin Hilë Simoni, i cili futi nën gomat e makinës fqinjën e tij Kaltrinë Hilën duke i thyer këmbët.

Përplasja u raportua fillimisht si aksident, por nga hetimet rezultoi se 55-vjeçarja u aksidentua me qëllim nga fqinji, pas debatit që patën verbalisht.

Hilë Simoni ka deklaruar në gjykatë se ngjarja ka qenë aksidentale dhe se pavarësisht konflikteve nuk ka dashur ta përplasë fqinjën e tij.

“Ngjarja aksidentale, nuk isha në gjendje të kontrolloja mjetin sepse rruga është pa standarde. Sapo ndodhi aksidenti, njoftova punonjësin e policisë të Gurit të Zi dhe një mik të tij. E kam vënë në dijeni se kam aksidentuar gruan e kushëririt. Gruaja më ka prerë rrugën shumë shkurt dhe djali im të kishte qenë s’kam pasur çfarë t’i bëj. Për sa i përket dhunës nuk e kam goditur. Sa u përket debateve kanë qenë të mbyllura që më përpara. Përpara një jave unë dhe burri i Katerinës kemi konsumuar një kafe për qejf në prani edhe të personave të tjerë sepse nuk kemi pasur asnjë problem. Pasi e kam aksidentuar jam munduar që ta nxjerr nga makina por ka qenë e pamundur dhe pastaj njoftova policinë dhe një mik”, është shprehur ai.

Avokati ka kërkuar masë lehtësuese “arrest shtëpie” pasi sipas tij Hilë Simoni prej 5 vitesh është me sëmundje pulmonare. Ndërkohë, Gjykata nuk e ka marrë parasysh këtë kërkesë, duke e lënë në arrest me burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë