“Ishte ora 11 e natës, kur një person u fut në shtëpinë time. Nisi të më godasë në kokë me grushte e në trup. M’u hodh sipër e më zuri frymën”. Ky është rrëfimi dramatik i të moshuarës në Gjirokastër, e cila u dhunua mbrëmjen e djeshme.
Ngjarja ndodhi në fshatin Palokaster të Gjirokastrës dhe 75-vjeçarja Pina Qamo nuk ka arritur të njohë personin që e sulmoi, ndërsa theksoi se ishte një burrë.
“Nuk e njoh personin, por arrita të dalloj që ishte një burrë, i veshur me rroba të ashpra. I thashë që ‘nuk ka asgjë për të vjedhur’. Nuk më kërkoi gjë. Po bërtisja dhe thirra një fqinj. Autori u largua dhe nuk mori asgjë”, është shprehur e moshuara, e cila ndodhet në shtratin e spitalit, pasi ka marrë lëndime në trup dhe fytyrë.
E moshuara thotë se ndihet e frikësuar dhe e kërcënuar me jetë pas kësaj ngjarjeje, ndërsa shtoi se në fshat është në hasmëri pasi i kanë vrarë edhe burrin para 3 vitesh.
“Jam e frikësuar se më kanë vrarë dhe burrin para 3 vitesh në fshat, jam me hasmëri”, tha e moshuara.
Mësohet se e moshuara jeton bashkë me vajzën e saj rreth 50 vjeçe në banesë, e cila vuan nga problemet e shëndetit mendor.
Ndërkohë, policia po vijon hetimet për zbardhjen e mëtejshme të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



