Rend dhe Ligj

Kontrolle masive në të gjithë vendin, sekuestrohen tri armë dhe arrestohen 9 persona

Policia e Shtetit, Forcat Shqiponja, RENEA dhe FNSH kanë ushtruar kontrolle në mbarë vendin, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, duke marrë shkas nga vrasjet e ditëve të fundit në vend.

Gjatë kontrolleve në qytete të ndryshme, policia ka gjetur dhe sekuestruar kokainë, kanabis dhe armë zjarri, si dhe ka arrestuar 9 persona dhe shpallur në kërkim 5 të tjerë.

Policia thotë se në Qarkun e Tiranës është kapur një person në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.

Në qarkun e Fierit është arrestuar në flagrancë S. B., pasi gjatë kontrollit iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Është proceduar penalisht XH. G., pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.

Po ashtu edhe në qarkun e Durrësit është arrestuar në flagrancë shtetasi E. M., pasi gjatë kontrollit në mjetin e tij, që e drejtonte pa leje drejtimi, iu gjet një shkop metalik (armë e ftohtë). Është proceduar penalisht shtetasi K. L., pasi nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar.

Në Berat janë arrestuar tre të tjerë.

“Në qarkun e Beratit është arrestuar në flagrancë shtetasi D. T., pasi iu gjetën disa doza me kokainë dhe cannabis sativa. Janë arrestuar në flagrancë shtetasit A. H. dhe K. H., pasi gjatë kontrollit u kapën duke drejtuar motoçikletat pa leje drejtimi. Është kapur dhe ndaluar shtetasi L. V., i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Është arrestuar në flagrancë shtetasi K. K., pasi ka qenë me masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”, por gjatë kontrollit u kap nga shërbimet e Policisë në një lokal. Është proceduar penalisht shtetasi E. H., pasi gjatë kontrollit iu gjet një dorezë boksi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në Vlorë është arrestuar në flagrancë shtetasi A. N., 16 vjeç, pasi gjatë kontrollit në automjet iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe 22 fishekë. Është proceduar në gjendje të lirë shtetasi S. N., pasi gjatë kontrollit personal iu gjetën disa doza me lëndë narkotike cannabis sativa.

Në Korçë është arrestuar në flagrancë shtetasi K. Sh., pronar i një lokali, pasi iu gjet një sasi cannabis sativa. Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Të arrestuar ka edhe në Lezhë.

“Në qarkun e Lezhës është arrestuar në flagrancë shtetasi P. B., pasi gjatë kontrollit në banesë iu gjet dhe sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lekësh të dyshuara të përftuara nga aktiviteti i paligjshëm në fushën e narkotikëve. Është proceduar penalisht shtetasi H. D., pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe sekuestrua një armë gjahu që e mbante pa leje. Janë ndaluar shtetasit A. G., Gj. G dhe N. G., të shpallur në kërkim për veprën penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, vijon më tej njoftimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë