Dihej që do të ishte një përballje shumë e vështirë dhe e tillë ka rezultuar në të vërtetë. Shkëndija e Tetovës është mundur me rezultatin e thellë 3-0 në ndeshjen e parë eliminatore të Ligës së Kampionëve në raundin e tretë përballë gjigandëve austriak Red Bull Salzburg.
Që në minutat e para, vendasit austraik nuk humbasin kohë dhe marrin në dorë frenat e lojës. Shkëndija tenton të mbrohet, duke u ngjeshur në prapavijë, por ka shumë vështirësi në përballimin e furisë së Salzburg. Në minutën e 16, Totre do të gabonte në një ndërhyrje brenda zonës, duke shkaktuar penallti. Nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit, Dabur nuk gabon duke i çuar shifrat në 1-0. Edhe pas golit, Salzburgu nuk e uli ritmin, por kërkonte të shënonte golin e dytë.
Nga ana tjetër, Shkëndija mundohet të reagojë duke tentuar të dalë përpara, por nuk e ka forcën e duhur. Kur u mendua se pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 1-0, ka ardhur edhe goli i dytë nga vendasit. Këtë herë është Zlatko Junuzovic, që çon topin në rrjetë për herë të dytë, dhe i dërgon skuadrat në dhomat e zhveshjes me shifrat 2-0 në favor të vendasve.
Në 45-minutat e dyta, Salzburgu vijon dominimin, ndërsa Shkëndija mundohet të limitojë në maksimum dëmet. Pas një sërë insistimesh dhe aksionesh të rrezikshme, Salzburgu do të shënonte edhe golin e tretë. Këtë herë është Diadie Samassekou, që vulos shifrat e takimit në 3-0 në minutën e 81’.
Më këtë rezultat Shkëndija është pothuajse e eliminuar nga Champions League dhe tashmë do duhet të fillojë të bëjë llogaritë për ndeshjen në play of-in e Ligës së Europës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




