Atleti shqiptar i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, mbeti jashtë zonës së medaljeve në Berlin, ku po zhvillohet këto ditë Kampionati Europian i Atletikës. Në finale e kërcimit së gjati, shkodrani regjistroi si kërcimin e tij më të mirë 7 metra e 99 centimetra, rezultat që e renditi shqiptarin në vend të gjashtë. Smajlaj bëri një kërcim më të mirë se në garën kualifikuese, ku kishte kërcyer 7.71 metra, megjithatë mbeti larg kërcimit të vjetshëm në Beograd, ku shkoi deri në 8.08 metra dhe u shpall kampion Europe.
Gara e kërcimit së gjati në Europianin e Berlinit u fitua nga greku Miltiadhis Tentoglou, i cili kërceu 8.25 metra. Në vend të dytë u rendit gjermani Fabian Heinle, që kërceu 8.13 metra dhe në vend të tretë ukrainasi Sergej Nikiforov.
Tani Shqipëria shpreson për medalje me atleten Luiza Gega, e cila garon në disiplinën e 3000 metrave me pengesa. Shqipëria përfaqësohet në këtë Europian vetëm me dy atletë, Izmir Smajlajn dhe Luiza Gegën. I pari e mbylli garimin pa sukses dhe tani është radha e Gegës, që së pari ka garën kualifikuese dhe më pas finalen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.