Historia e Manjola Cakonit dhe djalit të saj Alesio (që humbën pjesën tjetër të familjes) do kish një tjetër rrjedhë mediatike nëse në ditët e para pas tërmetit, Kryeministri Edi Rama nuk do ish nxituar nga kotësia e premtimeve, se do ta merrte Alesion (djalin e traumatizuar që shpëtoi mrekullisht nga tërmeti) në shtëpi e po aq ta njihte edhe me djalin e tij, Zaho.
As njëra dhe as tjetra nuk ndodhi, edhe pse vetë Rama me mjeshtërinë e tij PR-iste “par excellence” e shpuri Alesion të takonte idhujt e tij Ronaldo dhe Buffon në Romë të Italisë.
Në një kohë të vonshme, Rama (përmes kronikash mediatike) u pa të shoqëronte gruan e mbijetuar të shtëpisë, Manjolën, dhe të birin, Alesio, në një shtëpi të re të ndërtuar në Bathore, pas shkatërrimit pa kthim të shtëpisë së vjetër në Thumanë.
Por një kronikë e “News 24” e vetëm para do ditëve më parë ku dukshëm shquhej pakënaqësia e Manjolës për do shkelje premtimesh ndaj saj nga ana e zyrës kryeministrore e më pas fjalët e dala nga goja e një djali, që nuk i përngjante atij të një 11 vjeçari se “një foto me Ronaldon nuk i shtonte jetën” apo se “do t’i hidhte në gjyq se pse qeveria i la të futeshin në shtëpinë e Thumanës në para tërmetin e shtatorit” ishin parabola e një kronike të mirëmenduar më pas nga zyra e PR e Partisë Demokratike.
Me të njëjtën metodë probagande, siç kishte riskuar më parë kryeministri Rama.
Fillimisht me një kronikë 7 minutash e Grida Dumas bardh e zi (a thua se kish ardhur kataklizma) e cila komentonte deri në vanitet çdo fjalë e tingull që Manjola kish belbëzuar në News 24.
Më pas, pjesa e dytë e historisë e kuruar përmes një konference për shtyp po nga Grida Duma për të treguar me zë e figurë se vetë Manjola (me pamjen e një shkretane) i raportonte asaj (Dumës) për një telefonate “alla Rama” të qejfmbetur pas kronikës mediatike.
Më përtej nuk vonon me një pjesë të tretë historie as kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
“Është kriminale që fatkeqësia e bashkëqytetarëve tanë, në fillim u përdor për propagandë e më pas u harrua. Është kriminale që një kryeministër të kërcënojë një qytetare, vetëm pse ajo denoncoi shkeljen e premtimit dhe braktisjen e saj”, citon ndër radhë Basha, i cili vetem një muaj më parë, (pak kilometra nga vendi ku kalonte pushimet) u thumbua “Live” në Manzë nga një banor i mbetur ende në çadër (si pasojë e tërmetit) se ai duhet të takonte më shpesh njerëzit.
Deklarata e Lulzim Bashës për dhimbjen e Manjolës të përcillte po atë ndjesinë e atij banori të Manzës se si liderët në vend (në kohë të caktuara) i përdorin qytetarët e këtij vendi për kapitalin e tyre politik
Sepse historia e Manjolës do të shuhet sapo të shkrihet dhjamosja e probagandës politike për të kaluar në një tjetër “Manjolë” e interesit të ditës, ku ndjeshmëria njerëzore, as nuk peshohet fare…
Fushata sapo ka filluar. Por me “film” të përsëritur. Dhe e dalë boje…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.