Propozim i SI

“Stuhia” e bredikininës: Superkompjuteri zbulon si e mashtron Covid-19 organizmin e njeriut

Një superkompjuter ka analizuar për dy javë të dhëna masive të Covid-19, që shkencëtarët shpresojnë t’i shfrytëzojnë për të njohur më mirë virusin, mënyrën sesi ai prek organizmin dhe zbulimin e një kure të mundshme.

Analiza është ndërmarrë nga superkompjuteri “Summit”, i vendosur në “Oak Ridge National Lab” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka procesuar 40 mijë gene të mbledhura nga 17 mijë mostra gjatë kësaj vere në një përpjekje për të kuptuar më mirë virusin.

Kjo makineri është e dyta më e shpejtë në botë, por sërish iu deshën mbi dy javë që të analizonte 2.5 miliardë kombinimet gjenetike. Rezultati nuk ishte zhgënjyes. Analizimi doli në rezultatin se bradikinina, një përbërës kimik natyror që rregullon presionin e gjakut na shpjegon tiparet dhe pjesën më të madhe të simptomave të Covid-19.

Gjetjet mund të ndihmojnë për të kuptuar se përse virusi në disa pacientë shkakton probleme vaskulare, nga goditja në tru, inflamacioni i lëkurës, apo shputave dhe të afrojë shkencëtarët me zbulimin e një kure.

Në garë me kohën

Nga Lindja në Perëndim autoritetet shëndetësore kanë improvizuar në trajtimin e Covid-19 dhe për shkak të shumë të panjohurave që e shoqërojnë ende atë kanë fituar dhe fitojnë përvojë teksa përballen me qindra-mijëra raste në mbarë botën.

Ajo që është vënë re është se në fillim virusi u shfaq si një sindromë respiratore dhe emrin e plotë shkencor e ka ende “Respiratory Syndrome 2, Sars CoV-2”. Sindromat janë të ngjashme me ftohjen apo gripin dhe trajtimi këtë reflektoi.

Por, shpejt mjekët e vijës së parë nisën të raportonin simptoma të tjera edhe më të rënda; goditje në tru, probleme me zemrën dhe qarkullimin e gjakut e deri tek problemet hormonale. Trajtimi tradicional me oksigjen të induktuar jo gjithmonë ishte i suksesshëm.

Për këtë arsye, mjekët thanë se nuk bëhej fjalë për një virus respirator normal. Nga studimet e mëvonshme u mësua se shumica e vdekjeve janë pasojë e asaj që njihet si “stuhia e citokinës”, një përgjigje e tepruar e sistemin imunitar, aq e tepruar saqë shkatërron vetë organet jetësore të trupit.

Shkencëtarët që po analizojnë dhe interpretojnë të dhënat e analizuara nga superkompjuteri “Summit” mendojnë se fajtore për nisjen e “stuhisë së citokinës” është “stuhia” e bredikininës, një keqfunksionim i sistemit vaskular që shkakton rrjedhjen e damarëve të gjakut. Kjo është hipoteza e parë, ndërsa e dyta nuk përjashton që të dyja “stuhitë”.

Hipoteza e bredikininës

Kjo hipotezë sugjeron se stuhia e bredikininës është përgjegjëse për numrin më të madh të simptomave dhe vdekjeve nga Covid-19. Teoria është e bazuar në nocionin e pranuar gjithësisht se virusi hyn në trup përmes receptorëve ACE2 që gjenden masivisht në hundë, por edhe tek organet e brendshme, si veshkat, zemra dhe mëlçia.

“Summit” tregoi se efektet e Covid-19 nuk kufizohen vetëm me kolonizimin e receptorëve ACE2; virusi është në gjendje që t’i manipulojë këta receptorë. E thënë më thjesht, virusi “hakon” sistemin tonë mbrojtës dhe e nxit atë që të prodhojë sa më shumë receptorë të tjerë.

“Nuk prek vetëm qelizat që kanë shumë receptorë ACE2, por “rrëmben” sistemin e trupit tonë dhe e manipulon duke e orientuar të prodhojë receptorë të tillë edhe në organe ku niveli i tyre normalisht është i ulët, si në mushkëri. Në këtë kuptim, Covid-19 është si një hajdut, që pasi hyn në katin e dytë të një ndërtese, nis të vjedhë dhe bën rrëmujë nëpër shtëpi dhe nuk mjaftohet vetëm me vjedhjen e gjërave, por lë hapur të gjitha dyert dhe dritaret që bashkëpunëtorët e tij të nxitojnë për të vjedhur edhe ata”, thotë për revistën “Medium”, Thomas Smith, mjekt dhe ekspert i inteligjencës artificiale.

Pra, virusi rrit nivelet e ACE2, që ul presionin e gjakut në trup dhe punon kundër enzimës së njohur ACE, (që ka efektin e kundërt) përmes lënies hapur të derës për bradikininën. Kjo e fundit, nëse rrjedh në mënyrë të pakontrolluar në trup shkakton probleme në enët e gjakut, zgjerim të tyre dhe tension të lartë.

Kur respiratorët janë të padobishëm

Kur presioni i gjakut nuk kontrollohet dhe enët e gjakut humbasin ritmin e rrjedhjes së tij, trupi ka hapur dyert e disfunksionit pothuajse në të gjithë organizimin…dhe dyert nuk mbyllen më.

Pacientët e infektuar që janë prekur nga stuhia e bradikininës “mbyten”, sepse u mbushen mushkëritë me sekrecione. Shumë mjekë kanë raportuar se në të tilla raste kanë vënë re dëmtim të enëve të gjakut në mushkëri dhe organe të tjera. Kjo mund të shpjegojë se përse në disa raste trajtimi me oksigjen është i kotë.

Burimi: Medium, eLife dhe Euronews. Përshtati në shqip, Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë