Shendet

Pacientët me Covid-19 kanë pasoja afatgjata në zemër dhe mushkëri

Pacientët e shtruar në spital me Covid-19 kanë ende dëmtime në mushkëri, probleme me frymarrjen dhe kanë kollë edhe pas disa javësh që kanë dalë nga spitali.

Sipas të dhënave të fundit nga ekspertët, efektet e gjata të koronavirusit në shëndetin fizik janë një temë shqetësuese, pasi madje edhe ata që kanë përjetuar Covid "të butë", kanë raportuar simptoma që kanë vazhduar për shumë javë ose edhe muaj pasi ka kaluar infeksionin në fillim.
Tani studiuesit në Austri kanë lëshuar rezultatet paraprake të një studimi që ndjek shërimin e pacientëve të cilët ishin të shtruar në spital, por në gjendje shumë të rëndë.
Rezultatet zbulojnë se gjashtë javë pas largimit nga spitali, 88% e pacientëve ende treguan shenja të dëmtimit të mushkërive në skaner, ndërsa 47% e pacientëve  kishin probleme me frymëmarrjen. Në 12 javë, këto shifra ishin përkatësisht 56% dhe 39%.

"Të mbijetuarit nga Covid-19 kanë dëmtime të vazhdueshme të mushkërive edhe pas disa javësh që janë shëruar" tha Sabine Sahanic nga Klinika Universitare në Innsbruck, e cila është pjesë e ekipit që qëndron pas hulumtimit të ri.

Studimi, i cili do të paraqitet në Kongresin Ndërkombëtar të Shoqatës Europiane të Frymëmarrjes, ndoqi shëndetin e 86 pacientëve me koronavirus pas daljes nga spitali. Tetëmbëdhjetë prej këtyre pacientëve kishin qenë në kujdes intensiv.

Mosha mesatare e pacientëve ishte 61. Më shumë se 60% ishin meshkuj, pothuajse 50% ishin duhanpirës dhe 65% ishin mbipeshë ose obezë.
Testet duke përfshirë skanimet, matjet e funksionit të mushkërive dhe ekzaminimet klinike u kryen dy herë: gjashtë javë pas daljes dhe e gjithë koha e trajtimit zgjati rreth 12 javë.
Ekipi zbuloi se problemet e vazhdueshme shëndetësore ishin të pranishme si në pacientët që kishin qenë në kujdes intensiv ashtu edhe në ata që nuk kishin.

Midis gjetjeve të tjera, vëllimi i mushkërive në dispozicion për frymëmarrje ishte më pak se 80% e asaj që pritej për një person mesatar. Përveç kësaj, ekipi gjeti shenja të dëmtimit të zemrës në disa raste, edhe pse patën përmirësim me kalimin e kohës.

Ekipi nuk ishte në gjendje të përjashtonte mundësinë që pacientët mund të kishin pasur probleme të mëparshme të mushkërive, por ata thonë se skanimet CT ishin tipike për Covid-19.
Sahanic vuri në dukje se ndikimi afatgjatë i Covid-19 nuk është domosdoshmërisht një befasi, pasi studimi i mëparshëm ka treguar se të mbijetuarit e Sars, një tjetër koronavirus, gjithashtu kishin probleme afatgjata.
"Nga ata që mbijetuan, 30% shfaqën anomali të vazhdueshme strukturore të mushkërive muaj pas infektimit," tha ajo.

Studimi është në vazhdim: testet po kryhen gjithashtu 24 javë pas daljes nga spitali për të monitoruar më tej shëndetin e të mbijetuarve.

Tom Wilkinson, profesor në universitetin e Southampton, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se ka gjithnjë e më shumë dëshmi se për shumë pacientë që vuajnë nga Covid-19, ka pasoja afatgjata për shëndetin e tyre.

Ai shtoi se një numër studimesh ishin në proces për të gjetur ndikime të tilla dhe për të gjetur mënyrat më të mira për të mbështetur rimëkëmbjen.

"Studimi austriak raporton rezultate të ndjekjes afatshkurtër në një grup të shtruar në spital, duke demonstruar se ka prova të vazhdueshme të dëmtimit të zemrës dhe mushkërive në një pjesë të madhe të pacientëve. Përderisa do të ketë pacientë që do të shërohen plotësisht më vonë, shumë  të tjerë mund të mos e bëjnë dhe kjo tregon se kemi nevojë  për strategji më të mira për parandalimin dhe trajtimin e Covid-19.
Burimi: The Guardian/Përktheu:Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë