NASA ka zbuluar ujë në një planet të kategorizuar si “planet xhuxh”, që për nga përmasat është më i vogël se planetet e tjerë të sistemit tonë diellor. Zbulimi është bërë në planetin Ceres nga sonda “Dawn”.
Agjencia Hapësinore Amerikane njoftoi se kishte zbuluar jo gjurmë, por një rezervuar të tërë me ujë të kripur rreth 40 kilometra nën sipërfaqen e trupit qiellor Ceres, që mendohet se është 4,5 miliardë vite i vjetër dhe u mbijetoi ditëve të hershme të sistemit tonë diellor.
Shkencëtarët arritën në këtë përfundim pas analizimit të të dhënave të grumbulluara që prej 2005 nga sonda, mes të cilave edhe imazhe që tregonin një ngjyrë të kuqerremtë në sipërfaqen e planetit xhuxh.
Sonda analizoi nëntokën e planetit deri në 35 kilometra thellësi dhe pas këtyre të dhënave, studiuesit e NASA-s ishin në gjendje që të përcaktojnë se ngjyra e kuqerremtë me nuanca të bardha ishte si pasojë e depozitave të karbonatit të sodiumit, që përbëhet nga sodiumi, karboni dhe oksigjeni.
NASA thotë se ky karbonat formohet nga avullimi i ujit të kripur të lëngshëm që ndodhet në thellësi të planetit. Nga analizimi i fushës gravitacionale, shkencëtarët arritën në përfundimin se “rezervuari” i ujit strehohet në rreth 40 kilometra thellësi dhe ka një sipërfaqe që shtrihet në qindra kilometra.
Sonda “Dawn” u nis me mision studimin e brezit të asteroidëve që ndodhet mes Marsit dhe Jupiterit. Në vitin 2015, pasi ekzaminoi një asteroid të quajtur Vesta, ajo u ndal në orbitën e Ceresit. Në tetor 2018 anijes iu mbarua lënda e parë djegëse, duke detyruar inxhininerët dhe shkencëtarët e NASA-s që ta vendosin në orbitën e Ceresit për të mos rrezikuar përplasjen e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




