Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social “Facebook” raportin e 10 muajve të platformës së komunikimit me qytetarët “Shqipëria që duam”.
Sipas këtij raporti janë 9454 qytetarë që janë bërë pjesë e platformës si përdorues e kontribuues.
“9.454 qytetarë pa dallim moshe, gjinie, statusi social, bindjeje e përkatësie politike, numërohen sot, 10 muaj nga ndezja e platformës, si përdorues e kontribues të koalicionit tonë bashkëqeverisës për Shqipërinë që Duam.
Me vetëm një mesazh, në adresën shqiperiaqeduam.al qytetari ka në dispozicion të drejtpërdrejtë qeverinë, përmes ministrit përkatës që adreson menjëherë rrugën e trajtimit të përmbajtjes së mesazhit të qytetarit”, është shprehur Rama.
Po ashtu u është dhënë zgjidhje në 10 muaj 13,694 halleve e problemeve konkrete të njerëzve. Sipas kryeministrit Rama kjo platformë garanton ndërveprimin e suksesshëm mes tyre në të mirë të çdo qytetari dhe identifikimin e punonjësve që duhet të mbajnë përgjegjësi për mosdhënien e shërbimeve të duhura për qytetarët.
“Zgjidhja përmes kësaj platforme, në vetëm 10 muaj, e 13,694 halleve e problemeve konkrete të njerëzve konkretë të këtij vendi, është një afirmim kuptimplotë i këtij mekanizmi inovativ që fuqizon qytetarin. Vendos qeverinë gjithnjë e menjëherë në krah të tij. Garanton ndërveprimin e suksesshëm mes tyre në të mirë të çdo qytetari dhe identifikimin e punonjësve që duhet të mbajnë përgjegjësi për mosdhënien e shërbimeve të duhura për qytetarët.
Nuk ka më asnjë dyshim! Platforma shqiperiaqeduam.al është rruga jonë e re, e shkurtër dhe e shpejtë, për të zgjidhur së bashku hallet e problemet tuaja me administratën. Po ashtu, shqiperiaqeduam.al është edhe fuqia jonë e përbashkët kundër parazitizmit e korrupsionit në zyrat e shërbimeve të shtetit për qytetarin”, vazhdon më tej Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.