Aida Hajnaj zgjidhet drejtuese e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë votoi unanimisht për emrin e saj në krye të FBI-së shqiptare.
Zgjedhjen e saj në krye të BKH-së e mbështeti ambasadorja amerikane, Kim, që nëpërmjet një statusi në Twitter shkruante se reforma në drejtësi do vijonte duke përdorur shprehjen ‘Gur, gur, bëhet mur’.
Kush është Aida Hajnaj
Aida Hajnaj Veizaj, 51 vjeç në të vërtetë ishte modeli i gruas në polici që i ngjiti shkallët shumë qetë dhe një e nga një.
Siç bëjnë me dije burime të sigurta të gazetës Si Aida Hajnaj veç CV së pasur si efektivë policie, dhe performancës së saj të evidentuar si e pakompromentuar, Hajnaj është përzgjedhur gjithashtu edhe për profilin e juristit që do sjellë lehtësira dhe një partneritet efektiv mes SPAK dhe BKH. Kjo do të sjellë që drejtoresha e BKH të seleksionojë më të mirët dhe më të përgatiturit në polici, apo më elitarët, – shtoi për gazetën Si një burim jozyrtar, por i besueshëm.
Drejtoresha e parë e FBI shqiptare, e rritur në Pogradec, është diplomuar si jurist në të drejtën civile me rezultate të larta. Ajo filloi karrierën si hetuese në hetuesinë e Fierit nga viti 1991 deri në 1992, ndërsa deri në janar 1997 shërbeu si oficere e policisë gjyqësore në këtë komisariat. Pikërisht gjatë këtyre viteve të vështira Hajnaj ka bashkëpunuar me prokurorinë për hetimin e ngjarjeve më të rëndësishme në qarkun e Fierit. Rezulton sipas burimeve të gazetës Si që më tej zonja Hajnaj të ketë shërbyer nga 1998 deri në 2004 si jurist pranë Këshillit të Ministrave dhe pranë departamentit juridik të Ministrisë së Brendshme. E njohur gjithashtu edhe si lektore në Fakultetin e Drejtësisë, Hajnaj vazhdon t’i ngjisë shkallët modestisht, në një polici që më shumë ishte e burrave se sa e grave.
Me këmbëngulje dhe përkushtim ashtu siç shprehet publikisht 51-vjeçarja, ajo preku sektorë të rëndësishëm, ku siç kuptohet ajo tregonte muskujt e mendjes në përpilimin e dosjeve. Ka punuar gjithashtu në përpunimin e të dhënave në drejtorinë e mbrojtjes së dëshmitarëve nga 2004 deri në deri në 2013 , kohë kur ky departament mori formën më të rëndësishme dhe kur shumë dëshmitarë si ata kundër bandës së Aldo Bares dhe kundër Lulzim Berishës u mbrojtën nga kjo drejtori së bashku me të afërmit e tyre..
Nga viti 2013 deri në vitin 2017, Aida Hajnaj fillon të shikojë frutet e shërbimit ndaj vendit, ku edhe merr stafetën si shefe e sektorit të hetimit e pastrimit të parave, më tej emërohet si drejtoreshë e departamentit të kufirit dhe migracionit. Në katër janar 2019 Aida Hajnaj u emërua zëvendës drejtoreshë e përgjithshme e policisë së shtetit. Në fushën akademike Hajnaj njihet mes hartuesve që përpiluan korpusin ligjor dhe mekanizmat për mbrojtjen e dëshmitarëve të drejtësisë, por gjithashtu edhe për përgatitjen standarde të procedurave për “hetimin e krimeve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.