Tirana u shpall kampione, por në datën 10 gusht do të njohë kundërshtarët e mundshëm që do të ketë përballë në shortin e turit të parë të Ligës së Kampioneve. Kryeqytetasit renditen në vazon e ekipeve të dobëta dhe sigurisht që rivalët që do të kenë përballë parashikohen të një niveli më të lartë.
Mes ekipeve që UEFA ka caktuar si kundërshtarë të mundshëm, emrat për t’u evituar janë 2. I pari është padyshim kampioni i Skocisë, Celtic, që rezulton të jetë një nga pretendentët për të shkuar në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve. Pas tij, një kundërshtar relativisht i vështirë është edhe Qarabağ, i cili ka eksperiencën në arenën ndërkombëtarë pasi prej disa vitesh arrin grupet në Champions apo Ligën e Europës.
Emrat e tjerë janë deri diku të përballueshëm. Më i komplikuar ndër ta është Sherif Tiraspol i Moldavisë, por që gjithsesi nuk duhet mbivlerësuar pasi kujtojmë se eleminoi Kukësin 2 vite më parë. Kundërshtarët e tjerë janë Astana, Maccabi Tel Aviv, Legia Warszaw, kampionët e Rumanisë, Bullgarisë dhe klubi serb Crvena Zvezda. Një grup shumë i fortë, duke pasur parasysh që skuadra bardheblu koeficientin e ka shumë të ulët 1.475.
Nëse Tirana eviton dy emrat e parë, do ta ketë më të lehtë për të kaluar në turin tjetër të turneut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




