Arrestohet ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Aiu ndalua në një spital privat në Tiranë, ku u paraqit në gjendje të rëndë për shkak të diabetit. Personeli i spitalit njoftoi policinë dhe menjëherë u bë arrestimi i tij. Aktualisht ai ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Agim Kajmaku ishte shpallur në kërkim që prej 11 nëntorit të vitit 2019. Gjykata ka vendosur për të masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndaj tij rëndojnë tre akuza, ajo e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit, ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të tyre dhe ajo e falsifikimit të dokumenteve shtetërore.
Fillimisht akuzat kundër Kajmakut u ngritën, pasi dyshohet se ai ka marrë vendime pasi KQZ kishte vendosur për shkarkimin e tij nga detyra. Pasi KQZ kishte marrë vendimin kundër tij, ai shkarkoi nga detyra dy nënkryetarët e Bashkisë dhe emëroi një të besuar të tij. Po kështu, më herët, ish-qytetari i parë i Vorës, ishte nën akuza publike nga Partia Demokratike se ishte arrestuar në Greqi, nën emrin Jorgo Toto, për veprën penale të falsifikimit të parave, por që nuk e kishte paraqitur në formularin e Dekriminalizimit.
Akuzat e PD u konfirmuan edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila pasi bëri verifikimin e shenjave të gishtërinjve të Kajmakut dhe shenjat e gishtërinjve të shtetasit Jorgo Toto, të arrestuar në Greqi, rezultoi se ishte i njëjti person. Fillimisht, ai i mohoi akuzat e opozitës, duke thënë se nuk ishte arrestuar asnjëherë, por pas konfirmimit nga Prokuroria, ai publikoi vendimin e Gjykatës së Janinës, që e shpallte atë të pafajshëm, duke thënë se nuk e ka ditur për dënimin në vendin fqinj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.