Tifozët e Tiranës ishin grumbulluar jashtë stadiumit “Selman Stërmasi”, ku skuadra e tyre e zemrës luante me Kukësin rival dhe pritej që festa e titullit të niste që sot. Por nuk ka ndodhur kështu, sepse Tirana është mundur 1-2 dhe bardheblutë duhet të presin edhe pak për titullin e 25-të, por duhet pranuar se situata është vështirësuar pak, aq më tepër që përpara është derbi me Partizanin dhe tjetër hap flas mund të rriste shumë presionin te skuadra e Egbo.
Kuper dhe Et’hemi realizuan dy gola në pjesën e dytë, ndërsa Ngo shkurtoi në kohën shtesë në 1-2. Ishte një ndeshje e dobët nga ana e Tiranës, që luante pa Dokën dhe Bathën. Edhe Kukësi kishte mungesën e Shkurtaj, por Kuper e justifikoi besimin e trajnerit Shehi, duke i hapur rrugën fitores. Kukësi është 6 pikë pas Tiranës katër javë para fundit të kampionatit dhe ka të drejtë të ëndërrojë për titullin ende.
Partizani nuk shkoi më shumë se barazimi në fushën e Ballshit, ku barazoi 1-1. Ndreca shtangu Hoxhën me një gol nga goditja e dënimit në pjesën e parë, kur loja e të kuqve ishte poshtë nivelit mesatar. Në të dytën Partizani gjeti golin e barazimit me Braun dhe kishte edhe disa mundësi për të shënuar golin e fitores, që nuk u shfrytëzuan. Të kuqtë ngjiten në kuotën e 48 pikë dhe mbajnë vendin e 5-të falë golaverazhit më të mirë se Skënderbeu. Liga e Europës mbetet ende një objektiv i hapur për skuadrën e Sormanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.