Futboll

Kumbullën dhe Rrahmanin nuk i donte askush, sot janë të shkëlqyer

Verona nuk ia doli në mbrëmjen e djeshme të Serisë A të ndalte Napolin, teksa u mposht me rezultatin 0-2, pavarësisht dëshirës dhe përgatitjes nga Juric.  Menjëherë pas përballjes ndaj Napolit, trajneri kroat thekson se Kumbulla, Rrahmani apo Amrabat nuk i donte askush në fillim por ata tashmë janë rritur dhe shndërruar në futbollistë të shkëlqyer. “Më vjen keq që kemi humbur se meritonim më shumë. Kemi krijuar raste, por rezultati na penalizoi. Dua të mendoj më tepër për ndeshjen e radhës. Në skuadër kemi marrë djemtë që nuk i donte asnjë. Amrabat ishte në huazim, Rrahmani ka ardhur për dy milionë euro dhe Kumbulla që ishte me të rinjtë. Janë rritur dhe janë shndërruar në futbollistë të shkëlqyer. Dy të parët i kam humbur, ndërsa Kumbulla është në merkato”, u shpreh Juriç.

Një vit më parë, Verona ishte pothuajse gjithmonë në pozicionet e fundit. Me një moshë mesatare të skuadrës shumë të re, kjo skuadër e Serie A kishte krijuar më shumë se hutim dhe pesimizëm në mesin e ekspertëve. Megjithatë, nën drejtimin e Ivan Juric, gjithçka ka ndryshuar.

Përshtypjet e para dolën të gabuara me kalimin e javëve dhe me rrjedhën e lojës së bukur të ofruar nga ekipi në fjalë, sigurisht ndër surprizat më të bukura dhe interesante të këtij kampionati. Mentaliteti pozitiv dhe disa prekje për të perfeksionuar sulmin, një manovër e zhvilluar kryesisht nga krahët, për të përfituar nga galopimet e të jashtmëve : Skema 3-4-2-1 e teknikut kroat ka krijuar një “perëndeshë” për dashamirët e “bukurisë” dhe për ata që adhurojnë lojën e bukur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë