Propozim i SI

Pedofilia, çrregullim që të çon në krim. “Duhet një revolucion komunikimi në familje”

Ime më pasi përfundoja çdo ditë shkollën krijoi një traditë bisede ku më pyeste rreth ditës në shkollë. Përpos mësimeve, ajo më cytte të tregoja pothuajse gjithçka, tamam sikur të mbaja një ditar oral.

Pasi u krijua si traditë, (nuk kujtoj pas sa kohësh), nuk kisha më nevojë për pyetje; rrëfehesha vetë.

Në fakt ime më nuk e kishte të vështirë të mësonte ditën time në shkollë, sepse jepte mësim në të njëjtën shkollë ku mësoja unë.

Kur ndodhi të mësohej prej televizorit rasti i mësuesit të muzikës nga Fieri që abuzonte me nxënësit, mandej rasti i 15 vjeçares nga një periferi e Tiranës e cila abuzohej seksualisht prej dy vitesh nga roja 65-vjeçar i shkollës ku mësonte, përtej keqardhjes pata një revoltë dhe disa pyetje.

Më brente fort brenda meje se si një njeri që keqndjehet nuk e thotë (të kuptohemi, nuk jam duke drejtuar gishtin e fajit ndaj vajzës së dhunuar), nuk e ulëret, nuk e bërtet.

Thoja me vete“nuk ka nevojë për kapacitet dhe formim të jashtëzakonshëm të tregosh që po vuan dhe dhunohesh“, gjithmonë duke u nisur nga vetja.

Por reflektimi i menjëhershëm më bëri ti rikujtoj vetes se rrethanat jetësore, edukimi, terreni gjeografik dhe shoqëror, niveli arsimor dhe edukativ ku rritesh dhe edukohesh janë të ndryshme tek çdo person, duke mos harruar edhe individualitetin e çdonjërit prej nesh.

Mandej mësova se familja e vajzës 15-vjeçare kishte 1 vit që ishte në dijeni se vajza vuante abuzimin nga një burrë, që  në moshë ndoshta  ishte më i madh se babai i saj.

Pastaj sërish pyeta; a ka dhimbje më të madhe për një prind se kjo? Pse vallë kanë duruar prindërit derisa ta zbulonte media?

Mandej pyeta dy profesorë të shkencave sociale për të kuptuar realisht profilin psikologjik të abuzuesit dhe viktimës për të kuptuar një marrëdhënie të gjatë të një të sëmuri dhe heshtjen e një vuajtjeje të kthyer në normalitet të një fëmije me të cilën abuzohet seksualisht.

Profesor Gëzim Tushi, sociolog më thotë se “Viktima nuk është aq pa faj, por faji i saj është i papërfillshëm krahasuar me agresorin. Nuk duhet ta kthejmë shigjetën kah fëmija. Fenomeni i pedofilisë është i njohur historikisht; është i gjatë në kohë dhe i sofistikuar. Pedofilët janë të sofistikuar dhe investigojnë gjatë për gjahun e tyre dhe gjuajnë kur janë tejet të sigurt“.

Për profesor Tushin pedofili shfytëzon kontraditën që ndodh në jetën e një personi në pubertet; papjekurinë ende mentale, pjekurinë e mishit dhe nevojën fiziologjike. Shtoji kësaj një mungesë kulture komunikimi në familje për dëshirat dhe nevojat e mishit të fëmijës, që ende konsiderohen tabu, teksa përreth dhe shumë afër, edhe asaj fëmije ka ndodhur liberalizimi i shthurrur i seksualitetit.

Të njëjtën gjë më pohon edhe sociologia Entela Binjaku; shumë rrallë ndodh që viktimat të kërkojnë ndihmë në një kohë të shkurtër, terapistët mungojnë dhe në shumicën e rasteve fëmijët nuk e tregojnë abuzimin sepse fajësohen ose kërcënohen.

Kjo edhe si traumë, thotë ajo, është e atillë që është e fundit që prindi do të donte ta mendonte. Ndaj edhe kjo marrëdhënie zgjat në heshtje ose në sytë e komunitetit insitutcional ku e mitura është pjesë, që indiferentë as nuk përfshihen të ndihmojnë. Me kalimin e kohës ndodh që viktima e humbet besimin tek vetja dhe lind tek ajo ndjesia e viktimës, e pamundësisë. Kur thyhen kufijtë truporë për të është e pamundur mbrojtja apo ndalimi i abuzimit. Në një marrëdhënie të tillë zakonisht pedofili e fyen ose e poshtëron viktimën, e detyron ta ruajë sekretin sepse është një turp, e nxit të mendojë se faji ishte i saj, se ajo ishte që donte, se ajo kishte qenë që e kishte joshur, se po u mor vesh të tjerët do ta shohin si të përdalë dhe ndonjëherë kjo kështu dhe ndodh. Fëmija stigmatizohet dhe shfaq ndjenja të fajësisë dhe turpit, ka një imazh të ulët për veten, ndjehet si e lënë mënjanë të tjerëve sepse nuk arrin më të komunikojë me ta etj.

Ilustrim

Hulumtimet shkencore thonë se çrregullimi i pedofilisë mund të ketë origjinë neurologjiike.  Në manualet e diagonistikimit dhe të crregullimeve psikike,  pedofilia përkufizohet si "një interes seksual i fuqishëm ndaj fëmijëve që ndodhen në pubertet dhe është një çrregullim në ato raste kur personi përjeton vuajtje apo vështirësi ndërpersonale apo nëse  vepron në përmbushje të interesave të veta".

Dikush mund të jetojë me pedofili dhe jo të veprojë. Sitet si Pedofilët Virtuous ofrojnë mbështetje për pedofilët që nuk ngacmojnë fëmijë dhe besojnë se seksi me fëmijët është i gabuar. Nuk është se këta individë janë pedofilë "joaktiv" ose "jopraktikues", por përkundrazi besojnë që pedofilia është një status dhe jo një veprim. Në fakt, hulumtimet shkencore, tregojnë se rreth gjysma e të gjithë ngacmuesve të fëmijëve nuk tërhiqen seksualisht ndaj viktimave të tyre.

Po ashtu, mësohet nga kërkimet se pedofilia nuk është një zgjedhje. Hulumtimet e fundit, sugjerojnë që pedofilia si çregullim neourologjik mund të rezultojë nga një dështim në tru për të identifikuar cilët stimuj mjedisorë duhet të provokojnë një përgjigje seksuale. Burrat pedofil kanë tre herë më shumë të ngjarë të jenë mëngjarash, një konstatim që sugjeron fuqimisht një shkak neurologjik. Disa gjetje sugjerojnë gjithashtu se shqetësimet në zhvillimin në fëmijërinë e hershme rrisin rrezikun e pedofilisë. Studimet kanë treguar gjithashtu se burrat pedofili kanë, mesatarisht, rezultate më të ulëta në testet e aftësisë vizuale-hapësinore dhe kujtesës verbale.

Uebfaqja "Virtuous Pedophiles" është plot me dëshmi të njerëzve që zotohen të mos prekin kurrë një fëmijë dhe akoma të jetojnë në terror. Ata duhet të fshehin çrregullimin e tyre nga të gjithë ata që njohin - ose nga ata që kanë në dorë mundësitë arsimore dhe të punës së tyre, dhe të përballen me perspektivën e ngacmimit dhe madje edhe dhunën. Shumë veta ndjehen të izoluar; disa mendojnë vetëvrasje. Psikologu Jesse Bering,  shkruan se pedofilët "nuk po jetojnë jetën e tyre si në burg; ata janë të përndjekur përjetësisht në një dhomë paniku".

Ndërsa trajtimi nuk mund të eleminojë interesat seksuale të një pedofili, një kombinim i terapisë njohëse të sjellëjes dhe ilaçeve mund ta ndihmojnë atë për të menaxhuar kërkesat dhe për të shmangur kryerjen e krimeve.

Në Shqipëri nuk dihet ndonjë rast pedofilie që është trajtuar me psikoterapi apo ilaçe dhe nga ana tjetër ligji ynë aktual dënon dhunën ndaj fëmijëve, por nuk e parandalon atë.

Pse janë shtuar rastet e pedofilisë në Shqipëri?

Në vitin 2019 u regjistruan 28 raste të marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur, 10 raste më shumë se në vitin 2018. Po ashtu, edhe numri total i veprave penale që lidhen me krimet seksuale është rritur me 40 %, nga 110 raste në 2018-ën, në 155 raste në 2019-ën.

Të dhënat tregojnë se 5% e të akuzuarve për këto krime kanë qenë punonjës të administratës shtetërore, si në rastin e fundit të rojes së shkollës që abuzoi me nxënësen 15 vjeçare. 

Për profesor Gëzim Tushin arsyeja është metamorfoza që ka pësuar seksualiteti gjatë liberalizmit.

Pedofilët në Shqipëri, thotë profesor Tushi, janë shtuar shumë sepse ka shthurrje të sistemit seksual në përgjithësi. Nuk dallohet pjesa e shëndetshme me atë morale në kuptimin e degjenerimit dhe të mos pasurit vlera, përkundrazi. Presioni i mishit, nevoja fiziologjike, pjekuria seksuale e parakohshme, shtoji që ka rënë edhe miti i virgjërisë i cili shërbente për të kufizuar seksin tek adoleshentët, duke ndihmuar edhe fëmijët në këtë rast që të mos binin pre e fenomeneve të tilla.

Ai vëren se nuk ka biseda në familjet shqiptare rreth seksit dhe marrëdhënieve të tilla.

Është kultura e pranimit, thotë ai; më mirë vuajmë në heshtje se sa të turpërohemi kur ta marrin vesh të tjerët. Duhet paradigma familjare; të mësojë  të denoncojë, të flasë, të ngrejë zërin. Duhet të ngrihen paradigma brojtëse sociale në shkollë dhe institucione.

Profesor Tushi sugjeron se parandalimi nuk është i pamundur.

Për të duhet mësuar të ligjërohet për seksin duke thyer tabutë në familje. Heshtja, thotë ai, është kriminale. Duhet folur me fëmijën që të dallojë fiziken nga metafiziken.

Ai sugjeron se duhet të ndodhë një revolucion i vërtetë edukativ i informimit.

Pavarësisht metamorfozës së gjithcckaje, komunikimi nuk del kurrë nga moda.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e
patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e
autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht
kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë