Ngjarje

Skandal në Berat, mësuesi i dënuar për pedofili e ngacmim seksual kthehet në detyrë pas 13 vjetësh

Një mësues 62 vjeç, i dënuar më parë për pedofili dhe ngacmim seksual të fëmijëve në vitin 2003, është rikthyer të japë sërish mësim.

Skandali ka ndodhur në një nga shkollat më të mira 9-vjeçare të qytetit të Beratit, "22 Tetori", ku prej disa ditësh është emëruar mësues për lëndët e "Fizikës" dhe "Informatikës" Ëngjëll Bregu.

Kanë qenë prindërit e fëmijëve ata që e kanë shprehur këtë shqetësim për mediat, duke kërkuar largimin e mësuesit nga shkolla, gjë që i është kërkuar prej tyre edhe drejtorisë së shkollës, e cila u ka dalë me justifikimin se ai është emëruar nga DAR.

Edhe pse mësuesi ka dorëzuar dëshminë e penalitetit që nuk është i dënuar, prindërit kanë hedhur dyshime për shkak të së kaluarës së tij, duke kërkuar largimin e tij nga detyra.

Vetë nxënësit e shkollës shprehen se janë në dijeni të asaj çfarë ka bërë mësuesi në të shkuarën dhe kanë frikë prej tij gjatë zhvillimit të orëve të mësimit, pasi sipas tyre, “mësuesi i shikon në një mënyrë ndryshe që i bezdis”.

Mësuesi i akuzuar në Berat, Engjëll Bregu

Nxënësit deklarojnë se, ai u jep fizikë dhe informatikë dhe se ka mbërritur në shkollë prej disa ditësh. "Mësuesi na jep fizikë dhe informatikë. Kemi dëgjuar që ka ngacmuar nxënës dhe që është dënuar dhe kemi pak frikë. Ai sesi të shikon në klasë dhe për këtë kemi njoftuar edhe prindërit"-shprehen nxënësit e shkollën 9-vjeçare "22 Tetori", - shprehen ata.

Pas publikimit të skandalit, drejtoresha i ka kërkuar Bregut të largohej si dhe DAR-it transferimin e tij në një shkollë tjetër.

Në vitin 2003, kanë qenë disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare "Uznovë" në Berat ata që e kanë denoncuar mësuesin e tyre kujdestar Ëngjëll Bregu se gjatë një ekskursioni në Bogovë ai i kishte prekur në pjesët intime të trupit.

Nxënëset atëherë e cilësuan atë si maniak, pedofil dhe të rrezikshëm. Mësuesi u arrestua dhe u dënua për "pedofili" dhe "ngacmim seksual" nga Gjykata e Beratit me 7-muaj burg, por gjykata nuk ia hoqi asokohe të drejtën e rikthimit në detyrë edhe pse u kërkua nga prokuroria.

Pas kryerjes së dënimit, ai u rikthye në detyrë në vitin 2004 në një shkollë 9-vjeçare në fshatin "Hinkë" më Dimal dhe një muaj më pas u transferua në shkollën 9-vjeçare të fshatit "Çiflik", po në bashkinë Dimal për të qenë më afër shtëpisë.

Në 25 prill 2009, ai është akuzuar sërish nga 13 prindër se ka ngacmuar seksualisht fëmijët e tyre në këtë shkollë. Prindërit dërguan asokohe një peticion në Drejtorinë Arsimore Berat, ku kanë shpjeguar sjelljet jo të hijshme të mësuesit.

Prindërit e akuzonin mësuesin Ëngjëll Bregu se vinte i dehur në shkollë, se organizonte ekskursione pa miratimin e drejtorisë së shkollës dhe se i prekte vajzat e mitura në pjesë të ndryshme të trupit.

Pas këtij peticioni, DAR-I në Berat e pezulloi atë nga detyra, por për shkak se denoncimi nuk u bë në polici, Bregu nuk u arrestua sërish.

Pas rreth 13 vjetësh i larguar nga sistemi arsimor, me një vendim që nuk dihet se nga kush është firmosur, mësuesi Ëngjëll Bregu, u rikthye në arsim dhe prej 1 jave është emëruar në shkollën 9-vjeçare "22 Tetori" në qendër të qytetit të Beratit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë