Futboll

“Shumë të zinj në ekip, dua talente gjermanë”. Mainz largon njërin prej ortakëve

Skuadra e Bundesligës, Mainz 05 ka dhënë një sinjal të qartë kundër racizmit. Me titullin “Nuk ka vend për racizmin”, skuadra gjermane ka publikuar në faqen e saj web përmbajtjen e një shkëmbimi letrash mes një anëtari dhe shoqërisë. Ish-ortaku shpjegon përse nuk do të jetë më tek Mainz: “Nuk jam më në gjendje të identifikohem me këtë klub prej muajsh! Tani kam përshtypjen se jam në Kupën e Afrikës në vend të Bundesligës gjermane”, shkruan anëtari, që u përpoq të parandalonte akuzat. “E di çfarë po mendoni, por jo, nuk jam aspak racist. Vetëm se ajo që është shumë është shumë. Nëse nëntë lojtarë me ngjyrw  janë shfaqur në formacionin fillestar me javë të tëra dhe talenteve gjermanë nuk u është dhënë mundësia të dëshmojnë vlerën e tyre, atëherë ky nuk është më klubi im që kam dashur prej vitesh ”.

Klubi i është përgjigjur “ortakut”, duke i shpjeguar se ta heqin nga lista e ortakëve nuk e dëmton klubin. “Edhe pse normalisht na mërzisin shkarkimet e luftojmë me pasion për çdo anëtar, nuk mund të shprehim asnjë keqardhje në rastin tënd. Racizmi nis aty ku shprehen mendime raciste, jo vetëm kur dikush e quan veten racist, gjë që në fakt ndodh shumë rrallë. Për këtë arsye, ne jemi të kënaqur me largimin tënd, sepse arsyetimi juaj zbulon që nuk ke vlerat që karakterizojnë shoqërinë tonë”.

Gjatë fundjavës, në disa ndeshje të Bundesligës janë dhënë sinjale kundër racizmit, dhe lojtarët që kanë treguar solidaritet me protestat botërore “Black Lives Matter”. Pierre Kunde i Mainz është ulur në gjunjë pasi shënoi kundër Eintracht Frankfurt: “Si zezakë, ne kemi vuajtur mjaft padrejtësi dhe duhet të punojmë së bashku për t’i luftuar ata”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë