Futboll

Tirana i nënshtrohet testit për Covid-19, ia kërkoi ISHP

Të gjithë pjesëtarët e Tiranës duhet të kryejnë testin e Kovid-19 para ndeshjes së radhës në kampionat me Luftëtarin, që do të zhvillohet ditën e diel në Gjirokastër. Në radhët e këtij ekipi nuk ka ndonjë lojtar që ka shfaqur simptoma, por kryerja e testeve është kërkuar nga Instituti i Shëndetit Publik për siguri.

Të mërkurën Tirana luajti në Ballsh ndaj Bylisit, ku përfaqësuesi i Institutit të Shëndetit kishte pretendime për shkelje protokolli, duke qenë se një lojtar i ballshiotëve, Eridon Qardaku, kishte rezultuar pozitiv. Madje, zhvillimi i ndeshjes u vu në rrezik, por më pas zyrtarët vendosën që ajo të luhej. Tani, për të pasur më shumë siguri, është kërkuar që lojtarët dhe pjesëtarët e stafit teknik të Tiranës të kryejnë testin, siç bën me dije “RTSH Sport”.

Para ndeshjes Bylis-Tirana kryen testet të gjithë pjesëtarët e skuadrës ballshiote, të cilët kishin pasur kontakte me Qardakun, por të gjithë dolën negativë. Sipas rregullave të protokollit të miratuar nga Instituti i Shëndetit, kur një lojtar rezulton pozitiv, iazolohet vetëm ai dhe skuadra vazhdon aktivitetin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë