Futboll

Premier League: 5 zëvendësime dhe 9 lojtarë në pankinë

Futbolli anglez pret rikthimin në fushë për rinisjen e sezonit, ndërsa deri atëherë, Premier League ka miratuar propozimin e FIFA-s për të lejuar 5 zëvendësime për ndeshje, në takimet që pritet të luhen kur të rinisë kampionati, i parashikuar për në 17 qershor pas ndalesës për shkak të koronavirusit. Por, këto 5 zëvendësime për secilin ekip duhen kryer në vetëm 3 momente gjatë lojës, përveç atyre që mund të bëhen në pushimin mes pjesëve. Sipas normativës së re, një trajner nuk mund ta ndërpresë më shumë se tre herë lojën për të bërë zëvendësime.

Klubet kanë vendosur gjithashtu të shtojnë njëkohësisht edhe numrin e zëvendësuesve që ulen në pankinë nga shtatë në nëntë. “Për pjesën e mbetur të sezonit 2019-2020, numri i zëvendësimeve të lejuara gjatë një ndeshje do të rritet nga 3 në 5”, lexohet në komunikatën për shtyp.

Kjo masë, shkruhet në vendim “është konform modifikimeve provizore të rregullave të caktuara (International Board) në muajin e kaluar”. Kampionati anglez do të rifillojë në 17 qershor dhe janë 92 ndeshjet që do të zhvillohen për të çuar në fund sezonin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë