Mauro Ikardi është zyrtarisht një lojtar i PSG-së. Interi dhe klubi francez, me një komunikatë zyrtare, kanë bërë të ditur transferimin përfundimtar të sulmuesit argjentinas në Paris. Verën e kaluar, ditën e fundit të merkatos, ishte rënë dakord për huazimin e Ikardit nga PSG-ja, me të drejtën e blerjes së kartonit të tij.
Drejtori sportiv i ekipit francez, Leonardo, javët e fundit ka negociuar për blerjen e argjentinasit me drejtorin e përgjithshëm të Interit, Marotën, duke marrë në konsideratë edhe krizën e koronavirusit në botën e futbollit. Është diskutuar shumë në lidhje me zbutjen e shifrës së 70 milionë eurove, për të cilën ishte rënë dakord 9 muaj më parë. Marrëveshja është mbyllur për shifrën e 50 milionë eurove, plus 8 milionë euro bonus. Mund të konsiderohet një operacion strategjik për Interin, që me këtë shitje mbush kasën përpara merkatos verore, ku objektiv kryesor do të jetë blerja e Tonali.
Edhe PSG-ja fiton në këtë rast, pasi kursen pak në prag të merkatos. Për Ikardin nis, ose më mirë vazhdon, një jetë e re në një prej klubeve më të pasur të botës, me detyrën për të zëvendësuar si duhet Edinson Kavanin, uruguaianin që pëlqehet nga Interi.
Klubi i Interit mund të përfitojë edhe 15 milionë të tjera nga Ikardi, nëse ai do të shitet në të ardhmen nga francezët në Serinë A. Një klauzolë kjo që e pengon PSG-në të forcojë rivalë direkt të Interit për titullin kampion, në veçanti Juventusin. Me drejtuesit bardhezi, Uanda Nara, bashkëshortja-agjente e sulmuesit, kishte dialoguar muajt e fundit për të mbajtur të hapur çdo alternativë. Në fund ka zgjedhur të vazhdojë në Paris me një kontratë që mban Ikardin të lidhur edhe 4 sezone të tjera me klubin e emirit të Katarit. “L'Equipe” shkruan se PSG i garanton Ikardit një pagë neto prej 7.5 milionë eurosh në sezon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.