Fjala “remontada” do të hyjë zyrtarisht në fjalorin francez në vitin 2021. Siç raportohet nga “Le Point”, fjala e importuar nga Spanja tre vite më parë, kur Barcelona mposhti Paris Saint-Germain me rezultatin 6-1 në 1/8-at e Champions League, duke shkaktuar në një nga përmbysjet më të pabesueshme në historinë e këtij kompeticioni, do të ketë një vend të veçantë në sektorin e neologjizmave.
Kuptimi i fjalës do të jetë “një fitore e papritur për një skuadër apo një lojtar në cilëndo veprimtari. Rikthim me përmbysje, fitore spektakolare e një partie apo një politikani pas një humbjeje të mëparshme elektorale” dhe do të përfshihet në librin e famshëm të fjalëve në Francë, “Larousse”.
Në 2017, Barcelona tregoi se është një nga skuadrat më të forta në botë, pasi realizoi një mision të pamundur në “Camp Nou”, duke përmbysur rezultatin e ndeshjes së parë ku kishte humbur 4-0 ndaj PSG. Kualifikimi i katalanasve në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve dukej diçka e paarritshme, por djemtë e drejtuar nga tekniku spanjoll Luis Enrike, përmbysën gjithçka duke hyrë në histori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.