Leyton Orient, skuadra e League Two në lindje të Londrës, në një zonë jo shumë të pasur, është në vështirësi të mëdha ekonomike. Gjithmonë në ligat inferiore, Leyton u bë i famshëm, pasi me këtë ekip ka debutuar Harry Kane. Pikërisht qendërsulmuesi i Tottenham e kombëtares angleze, është bërë sponsor i fanellës.

Ai ka debutuar në futbollin profesionist pikërisht me Orient, ku mbërriti i huazuar nga Tottenham, klubi në të cilin ishte rritur. Në 15 janar 2011 një djalosh i ri as 18 vjeç debutonte me The O’s në atë kohë në League One (kategoria e tretë) kundër Rochdale, ndërsa një javë më pas shënonte golin e parë mes profesionistëve në 4-0 ndaj Sheffield Wednesday. Kane i mbylli ato gjashtë muaj tek Orient duke shënuar 5 gola në 18 ndeshje: karriera e tij vazhdoi tek Millwall, Norwich, Leicester, deri kur u mbërriti në skuadrën e parë të Tottenham në një rrugëtim të gjatë, duke u bërë një nga sulmuesit më të mirë në botë dhe kapiteni i Anglisë. Por Harry nuk i ka harruar emocionet e Brisbane Road. Sot, që klubi i tij i parë është në vështirësi ekonomike ka vendosur të ndërhyjë. “Kam lindur dy milje larg stadiumit dhe jam shumë i lumtur që kam mundësinë ti kthej diçka skuadrës që më dha fanellën time të parë si profesionist – shpjegoi Kane -. Sponsorizimi është edhe për mua një mënyrë për të falënderuar heronjtë dhe shoqatat e bamirësisë në linjë të parë kundër koronavirus”.

Në fanellat e Orient 2020-21, në fakt, nuk do të jetë fytyra apo emri i Harry Kane, por një mesazh solidariteti. “Faleminderit heronjve në vijën e parë” shkruhet në fanellë; “Haven House Children’s Hospice”, një qendër për djemtë në vështirësi në zonën e Chingford, ku ka lindur Kane, në fanellën e transfertës; “Mind Mental Health Charity”, një shoqatë bamirësie kundër sëmundjeve mendore, në fanellën e tretë. Sponsorizimi është i pari i këtij lloji – nuk ka ndodhur kurrë që një lojtar të subvencionojë direkt një klub – dhe i është dashur të marrë miratimin nga Premier League, Football Association e English Football League. 10% e të ardhurave nga shitja e fanellave do të shkojnë te këto shoqata. Orient ka njoftuar se ka shitur 2.000 në 24 orët pas njoftimit të Kane. Zakonisht shet 3000 gjithë sezonin.

Pronari i Agon Channel, Francesco Becchetti, i cili është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare, në korrik të vitit 2014 bleu skuadrën angleze nga Barry Hearn për 7 milionë euro. Pas 3 sezonesh të dështuara dhe akuzave për mospagim taksash, italiani e shet klubin te Nigel Travis.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




