Presidenti i FSHF, Armand Duka ka dhënë një intervistë për Tuttomercatoweb, duke folur për Shqipërinë, pa harruar Italinë. Në fund flet edhe në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s ku në shkurt 2019, u zgjodh anëtar, si numri 1 i Federatës Shqiptare të Futbollit. “Në këtë moment jemi të ndaluar – shpjegon Duka për Tuttomercatoweb.com – nga 9 marsi deri tani nuk kemi zbritur në fushë. Javën e ardhshme, nga e hëna 18 maj, do të nisin stërvitjet në grup, nga 3 qershori, do të nisim Superioren. Pastaj nga 7 qershori edhe kategorinë e parë dhe të dytë. Deri tani i kemi bërë lojtarët të punojnë me seanca të drejtuara nga teknikë, si për profesionistët ashtu edhe për sektorët e të rinjve, për tu mbajtur në formë në shtëpi”.
Sa e fortë ishte goditja për futbollin shqiptar, pas ndalesës për shkak të Covid-19?
“Klubet tona, në përqindje, kanë patur të njëjtën humbje me të mëdhatë. 20-25% të buxhetit. E njëjta gjë, edhe për ne si Federatë: kemi humbur disa ndeshje, ndonjë të drejtë dhe disa të ardhura. Shqipëria është një vend ndryshe nga Italia në shumë aspekte: klubet janë më të brishta dhe ne si Federatë u kemi paguar dy paga mujore të gjithë atyre që punojnë në futboll. Qeveria fatkeqësisht nuk na ka mbështetur si lëvizje futbollistike, për këtë vendosëm të japim dy paga”.
Një gjest sigurisht fisnik dhe i rëndësishëm
“Tani shpresojmë të rifillojmë. Kemi bërë një protokoll për të rifilluar, të ngjashëm me atë gjerman. Do të bëjmë të pamundurën sipas kushteve dhe impianteve tona, nuk është e pamundur të respektohet dhe duhet thënë se në Shqipëri virusi nuk ka patur ndikimin si në vende të tjera. Situata ishte ndryshe nga vendet e tjera, për fat”.
Lidhja mes vendeve tona padyshim që është konsoliduar falë gjestit të mjekëve dhe nga kryeministri Edi Rama në fillim të pandemisë
“Ishe një gjest i bukur. Nga dita e parë e vlerësova dhe telefonova Kryeministrin dhe i thashë që ishte gjëja më e mirë që kishte bërë në këtë situatë: tregoi respektin dhe mirënjohjen tonë për Italinë. Në 30 vitet e fundit ka një vend gjithmonë pranë nesh, në çdo fushë dhe veprimtari të jetës. Shumë shqiptarë jetojnë në Itali dhe ne kemi treguar mirënjohjen tonë, ishte një gjest i bukur dhe i vërtetë”.
Le të flasim për Federatën tuaj. Me ngjyrime të forta italiane
“Si ekip kombëtar, kemi studiuar një organizim të ri me Edoardo Reja dhe stafin e tij. Trajneri jo vetëm që drejton ekipin kombëtar, por është gjithashtu përgjegjës edhe për kombëtaret e moshave, bashkëpunon me të gjithë trajnerët, nga U-15 tek U-21. Edhe stafi i tij bën të njëjtën gjë, mjeku është përgjegjës i mjekëve, përgatitësi atletik për të gjithë përgatitësit dhe kështu me radhë”.
Vëzhgimi është baza e gjithë projektit të orientuar drejt së ardhmes
“Edhe pse Shqipëria është e vogël, e kemi ndarë vendin në 6 rajone dhe stërvisim Kombëtaret e rajoneve nga U-13 tek U-17 çdo javë gjatë gjithë vitit. Pastaj ka gjithnjë një kampionat ku teknikët e Kombëtareve janë në kërkim të talenteve. Pastaj bëhet edhe një punë e shkëlqyeshme për zbulimin: i kemi dërguar bashkëpunëtorët tanë kudo e edhe aty, dy herë në vit, bëhen grumbullime për të gjetur talente. Kemi shumicën e lojtarëve jashtë Shqipërisë, jo vetëm në ekipin e parë por deri edhe tek U-15. Shumë luajnë jashtë dhe ne bëjmë shumë grumbullime dhe miqësore”.
Kalojmë tek Mister Reja, ‘trajneri më i vjetër në botë’.
“E njihja Reja si trajneri i Napoli, ishte një ëndërr për ne të kishim një trajner të këtij kalibri. Pastaj kur e takova për herë të parë thashë ‘është 74 vjeç…’ por nuk i tregon. Është i ri, jashtë e brenda: stërvitet, ka fuqi më shumë se të tjerët. Për fat të mirë, është kthyer atmosfera e De Biasi për fat”.
Cilat janë objektivat tuaja?
“Të gjithë bëjnë tifo për skuadrën e tyre, unë përfshirë. Por duhet të jem edhe realist. Mund të them se Shqipëria mund ta luajë kundër të gjithëve, në Evropë. Kështu, mund të humbasim edhe kundër të voglave… Kjo është arsyeja pse unë them që në çdo kualifikuese objektivi është të kualifikohemi. Në Nations League synojmë vendin e parë në Divizionin C, duam epërsinë”.
Mund ta bëni edhe me një nga talentet që ka mahnitur Serie A, Marash Kumbulla i Veronës. Që Italia mendonte t’jua rrëmbente…
“Ka luajtur me ne që nga U-15 më pas në Kombëtare. Pak me U-21 sepse shkoi në skuadrën e parë, tek ai kemi shpresa të mëdha. Por kemi shumë lojtarë të talentuar në ekipin e parë dhe në mesin e ekipeve të rinjve”.
Edhe midis shtyllave
“Kemi Strakosha dhe Berisha: Etrit është një lider, Thomas madje po lufton për titullin. Është i ri, i aftë. Reja është në vështirësi sepse janë të mirë dhe luajnë, nuk është e lehtë ti lësh jashtë”.
Nuk mbaron këtu
“Pastaj është Djimsiti që është te Atalanta dhe po luan në çerekfinale të Champions, në sezonin më të mirë të karrierës së tij. Është rritur, ka ndryshuar shumë, është një lider. Për të mos folur pastaj për Elseid Hysaj: kapiteni ynë, referencë në Kombëtare dhe që luan në një skuadër të madhe si Napoli”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




