Futboll

Vialli dhe lufta kundër kancerit: E keqja kaloi, por ende kam shumë frikë

Gianluca Vialli është kthyer të flasë për luftën e tij kundër tumorit në pankreas. Një betejë e ashpër, që ish-kampioni i Sampdorias ka rrëfyer për “Times”, duke treguar edhe gjithë frikërat e tij për të ardhmen. “Fizikisht jam mirë dhe po rifitoj muskujt – shpjegoi ai -, por jam akoma shumë i frikësuar dhe i shqetësuar”. “Sa herë zgjohem ose shkoj në shtrat me pak dhimbje barku ose koke, apo me ethe, mendoj menjëherë ‘o Zot, u kthye’. Mendoj do të duhet shumë kohë përpara se të arrij ta lë pas këtë ndjesi”, shtoi ai.

Një frikë që është e vështirë të kontrollohet, e shënjuar thellësisht nga ndërhyrja kirurgjikale, nga kemio dhe nga radioterapia. Dy vite të tmerrshëm, ku Vialli ka humbur pothuajse 16 kg, flokët, mjekrën dhe vetullat. Gjithashtu edhe sigurinë. “Në këtë situatë je i brishtë dhe nuk mund ta dish nëse e ke mundur sëmundjen deri kur kalojnë disa vite pa patur probleme”, ka shpjeguar Vialli duke treguar frikën e tij.

Në luftën kundër kancerit, përkrah Gianluca ka qenë gjithnjë gruaja e tij angleze Cathryn dhe dy vajzat adoleshente. Një prani e vazhdueshme që i ka dhënë qetësinë dhe i ka kthyer dëshirën për të buzëqeshur. “Vajzat e mia më kanë ndihmuar duke më pikturuar vetullat dhe i kam kërkuar këshilla gruas rreth trukeve që duhet të përdor – ka treguar Vialli -. Kemi qeshur, duhet të qeshësh, është e nevojshme të gjesh anën zbavitëse, nëse mundesh”. “Por kishte ditë që mbyllesha në banjë për të mos më parë duke qarë”, përfundoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë