Futboll

Maldini sulmon hapur trajnerin e “ri”’: Mëso çfarë është respekti

Deklaratat e Ralf Rangnick, kandidati numër 1 për t’u bërë trajneri i ri i Milan, nuk kanë kaluar pa u vënë re në kampin kuqezi. Gjermani ka kërkuar “fuqi të plotë”, gjë që e ka bezdisur shumë Paolo Maldini, drejtori teknik aktual i Milan: “Duke folur në këtë mënyrë ka ndërhyrë në fushën ku po punojnë profesionistë me kontrata për të mirën e shoqërisë – ka komentuar ai -. Kam një këshillë për të, përpara se të mësojë italishten duhet të rishikojë konceptet e përgjithshme të respektit”.

Në ditët e kaluara Rangnick ka lëshuar disa deklarata, duke pranuar se është kontaktuar nga shoqëria kuqezi, por duke konfirmuar dëshirën për të kërkuar “fuqi të plota administrimi” në mënyrë që të marrë në konsideratë ofertën e një roli tek Milan për sezonin e ardhshëm. Rol që, edhe pse asgjë nuk është zyrtare, do të binte ndesh me rolin që aktualisht ka në shoqëri Paolo Maldini.

“Duke mos folur kurrë me Rangnick – deklaron drejtori teknik kuqezi për ANSA – nuk kuptoj mbi  ç’ baza ngrihen deklaratat e tij, edhe për faktin se nga shoqëria nuk më është thënë asgjë” ka thënë Maldini. Në të kaluarën edhe Zvonimir Boban, një nga ish-drejtuesit e kuqezinjve, nuk e ka aprovuar vendimin e drejtorit Ivan Gazidis, për të kontaktuar Ralf Rangnick, pas krahëve të drejtuesve. Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ai nuk e fshehu pakënaqësinë për këtë veprim, duke e quajtur mosrespektim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë