Federata Shqiptare e Futbollit mbajti Asamblenë e saj të Përgjithshme, e cila u zhvillua si kurrë më parë “online” për shkak të kushteve të pazakonta pas përhapjes së koronavirusit. Ndryshe nga se pritej, nuk pati asnjë diskutim mbi kohën dhe mënyrën e rifillimit të sezonit, apo pasojat e krizës që Covid-19 ka sjell mbi futbollin shqiptar.
“Është një asamble në kushte të jashtëzakonshme. Pasojat e COVID-19 kanë qenë të rënda, çka ka sjellë ndalimin e futbollit për dy muaj. Ju falënderoj për respektimin e rregullave. Falënderim i veçantë për mjekët dhe stafet mjekësore, kanë mirënjohjen tonë dhe për këtë arsyeja i kemi quajtur kombëtarja unë. Uroj të ketë kaluar më e keqja e kësaj ëndrre të keqe. Uroj të kthehemi shpejt në normalitet dhe të rinisë futbolli. Kemi punuar shumë këtë periudhë, edhe pse kemi pasur shumë probleme. Rruga jonë për standard të reja në futbollin shqiptar është e mbarë. Po punojmë për projektin tonë ‘Vizion 2030’. Ndërtimi i stadiumit ‘Air Albania’ ishte një arritje e madhe. Ka sjellë impakt edhe në shtimin e tifozëve. 17 nëntori i inaugurimit do mbahet mend gjatë. Nuk kemi pasur asnjë depozitim për të diskutuar një çështje jashtë rendit të ditës. Dua t’u njoftoj që në ditët në vazhdim do të organizojmë takim me anëtarët e Superiores, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë. Do të diskutojmë me to për rikthimin e garës dhe aktiviteteve”- deklaroi Duka
Presidenti i FSHF foli edhe për fondin e luftës, sistemin VAR, që synohet të futet në sezonin 2021-2022. Gjatë fjalës së tij në asamble, kreu i FSHF-së, Armand Duka, iu referua edhe Kosovës, duke zbuluar projektet e përbashkëta: “Kemi projekte të përbashkëta me Kosovën. Një është Kupa Mbarëkombëtare. Pandemia na vonoi, por nuk na pengon ta realizojmë. Jemi të lumtur për arritjet e Kosovës dhe urojmë një kualifikim në EURO 2021. Falënderojmë qeverinë për bashkëpunimin në stadiumet, por edhe për injorimin në këtë periudhë. Synimi është që futbolli ta mbajë veten financiarisht. Të gjitha kriteret e licencimit i shërbejnë kësaj”.
Gjatë Asamblesë u përjashtuan Kamza, Domosdova dhe Shoqata e Minifutbollit, pasi rezultoi se nuk kishin ushtruar aktivitet sportiv në vitin mes dy Asambleve. Nga ana tjetër, Devolli u pranua si anëtar i ri i Asamblesë së FSHF-së. Gjithashtu, u miratua buxheti i FSHF-së për vitin 2020.
Risi ishin ndryshimet në Rregulloren e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, ku shtohen 2 organe të reja: Dhoma e Arbitrazhit (që do të merret me konfliktet mes lojtarëve dhe klubeve) si dhe Dhoma e Statutit (kur lojtarët duan të transferohen). Tema e rinisjes së kampionateve, nuk u diskutua fare duke lënë të kuptohet se FSHF-ja pret përgjigje nga qeveria, por asnjëra prej klubeve nuk dha asnjë propozim për këtë pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




