Futboll

Testet rezultuan negative, Inter rifillon stërvitjen

Në pritje të lajmeve të sigurta se si e kur mund të rinisë Serie A, Inter është kthyer sot të stërvitet në fushat e qendrës sportive të Appiano Gentile. Klubi ka kryer edhe testet e fundit mjekësore të nevojshme dhe ka komunikuar rezultatet përmes një komunikate zyrtare: “FC Internazionale Milano komunikon se të gjithë testet mjekësore të cilave i është nënshtruar skuadra e parë kanë rezultuar negativë. Nga pasditja do të nisin stërvitjet individuale fakultative. Klubi ruan kujdesin maksimal mbi kriteret parandaluese për shëndetin e lojtarëve dhe të gjithë komponentëve të klubit, në respekt të gjithë linjave udhëheqëse dhe mbrojtjes së shëndetit publik”.

Pas përfundimit të testeve serologjike dhe tamponëve, lojtarët zikaltër u ndanë në grupe për të kryer stërvitje individuale: me ta, në dispozicion, një mjek, një fizioterapist, një përgatitës atletik dhe një deri në dy anëtarë të stafit teknik. Të gjithë prezentë në Suning Centre, përfshirë edhe Alexis Sanchez që ndërkohë ka përfunduar karantinën e detyruar pas rikthimit nga Kili.

Një rifillim që duhet të sjellë gradualisht lojtarët e Antonio Conte “në formë” për të qenë gati për rifillimin, mbi të cilin, megjithatë, nuk ka ende siguri. Një siguri më shumë duket se ka në frontin evropian, duke gjykuar nga fjalët e Angel Torres, presidenti i Getafe, kundërshtar i zikaltërve në Europa League. Gjatë një interviste për Radio Cope, drejtuesi spanjoll zbuloi ndeshja pritet të luhet në fillim të gushtit: “Ndeshja e parë në Itali duhet të vendoset për në 2 ose 3 gusht, ndërsa kthimi në 6 ose 7 në Spanjë”, ka deklaruar Torres. “Nëse nuk do të ishte e mundur të luhet në San Siro dhe Coliseum Alfonso Perez, ndeshjet do të luhen në fushë neutrale. UEFA ka nevojë të riorganizojë turnetë me garat e mbetura.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë