Shkëlzen Selimi nuk priti që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të publikonte raportin e vet në lidhje me hetimin e bërë për integritetin, pasurinë dhe profesionalizimin e tij në kuadër të procesit të Vettingut.
Anëtari i Gjykatës së Lartë kërkoi menjëherë pezullimin e seancës dëgjimore dhe gjithë procesit duke dhënë si argument shkeljen e Konventës së të Drejtave të Njeriut.
“Pasi u njoha edhe me vendimin e ndërmjetëm, çmoj qe vazhdimi i procesit bie ndesh me nenin 6 te Konventës së të Drejtave të Njeriut për proces te paanshëm”, deklaroi ai para KPK-së.
Shkelja thotë se është bërë në rastin e publikimit të disa të dhënave sensitive dhe personale të tij, që kanë rrjedhur nga raporti i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar. Pikërisht tek punonjësit e kësaj drejtorie dyshon edhe vetë gjyqtari Selimi.
“Siç e shpjegova dyshimi im nuk është te trupa, por te personat që kanë punuar me raportin e DSIK. Kanë nxjerrë sekret hetimor dhe unë s’jam vene ne dijeni. Ja kanëshitur një televizioni të dhënat sensivite”, deklaroi ai.
Pretendimi i Shkelzën Selimit lidhej me publikimin një ditë më parë të një materiali nga ana e Top Channel, ku sipas dokumentave që kishte siguruar ky televizion, gjyqtari kishte lidhje me grupe kriminale në qytetin e Fierit dhe dokumentimi i këtyre lidhjeve është bërë nga Shërbimi Informativ Shtetëror në vitin 2011 përmes një përgjimi.
Trupa gjyqësore me tre anëtarë të KPK-së, që përbëhej nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari rrëzoi kërkesën e gjyqtarit Selimi dhe mori vendim për të vazhduar procesin e verifikimit, pavarësisht pretendimeve të tij.
Thuajse dy orë më vonë, para KPK-së doli një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Artan Broci u përball me të njëjtën trupë gjyqësore, por në fund pati një tjetër rezultat nga kolegu i tij Selimi. Për Brocin Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk gjeti asnjë shkelje në asnjërën prej tre shtyllave të vettingut. Ai u gjet në rregull me deklarimin e pasurisë, po ashtu i aftë profesionalisht dhe në raportin e DSIK cilësohet si i përshtatshëm dhe pa lidhje të dyshimta.
Gjasat janë që Broci ta kalojë Vettingun dhe Selimi të ngelë në të. Kjo do të thotë se në Gjykatën e Lartë do të ketë katër anëtarë të konfirmuar, në pritje të Medi Bicit, që përballet me vettingun më 30 korrik.
Bici është gjyqtari i fundit i trupës së Gjykatës së Lartë. Më parë vettingun e kanë kaluar Xhezair Zaganjori, Ardian Dvorani dhe Edmond Islamaj. Për këtë të fundit Komisioneri Publik ka kërkuar rishqyrtim të dosjes dhe mund të ketë edhe surpriza që në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit të rrëzohet vendimi i KPK-së.
Duke parashikuar të gjithë skenarët, nëse Medi Bici e kalon vettingun, në fund të procesit Gjykata e Lartë do të ketë vetëm 5 anëtarë, që do të duhet të plotësojnë trupat po me nga pesë anëtarë që kërkojnë kolegjet administrative, penale dhe civile, ndërkohë që nuk mund të thërrasë kolegjet e bashkuara.
Kjo do të thotë se funksionimi i saj shndërrohet nga një mision i vështirë, në një mision të pamundur, pavarësisht nëse konfirmohet Medi Bici e Edmond Islamaj gjithashtu.
Si u shua Gjykata Kushtetuese?
Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese, megjithëse duhej të kishte nëntë anëtarë, në përbërje të saj kishte vetëm shtatë. Dy prej anëtarëve të tjerë u kishte përfunduar mandati dhe reforma në drejtësi e konflikti politik e kishin lënë pas dore zëvendësimin e tyre.
Në gusht të 2017, disa muaj para se të niste procesi i vettingut, gjyqtari Vladimir Kristo u dorëhoq. I zgjedhur si anëtar i Gjykatës Kushtetuese që në 2007, atij i kishte përfunduar mandati 9-vjeçar që në 2016, por kishte mbajtur detyrën për të mos futur këtë institucion në kolaps. Kristo bënte pjesë në listën e punonjësve të drejtësisë që nuk kishte dorëzuar formularin e vetëdeklarimit të pasurisë me arsyetimin se kishte mbushur moshën e pensionit.
Dorëheqja e Kristos la me gjashtë anëtarë Gjykatën Kushtetuese, në momentin kur në këtë institucion, Unioni i Gjyqtarëve kishte dorëzuar disa ankimime. Mes ankimimeve të dorëzuara në fund të muajit maj të 2017, kur vendi ndodhej në fushatë elektorale, ishte edhe ai për Vettingun, konkretisht pikën për verifikimin e lidhjeve të gjyqtarëve, apo prokurorëve “me persona të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar sipas informacioneve konfidenciale dhe pa një vendim të formës së prerë”. Unioni këmbëngulte në atë kohë se ky përkufizim mund të çonte në vendime abuzive.
Vjeshta nisi me ethet e vettingut edhe më të forta. Në fund të muajit tetor, e mbledhur me gjashtë anëtarë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve. Ndërkohë, prej disa muajsh institucionet ndihmëse, si Inspektoriati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurisë, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Shkolla e Magjistraturës kishin nisur të dorëzonin tek trupat e vettingut dosjet e tyre për mbi 700 prokurorë e gjyqtarë.
Rivlerësimi niste pikërisht me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në pararojë. Kryetari i kësaj Gjykate, Bashkim Dedja e dinte situatën e vështirë në të cilën ndodhej institucioni i tij dhe në dhjetor lëshonte alarmin. Deklaronte për mediat se Kushtetuesja po shkonte drejt kolapsit dhe kjo mund ta penalizonte Shqipërinë në Gjykatën e Strasburgut. Si zgjidhje propozonte që anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese të emëroheshin fillimisht dhe më pas t’i nënshtroheshin Vettingut. Thirrja e tij ra në vesh të shurdhër, ndërsa në Kushtetuese situata u bë akoma më kritike, kur në fund të janarit të këtij viti, Besnik Imeraj jepte dorëheqjen.
Procesi i vettingut nisi në muajt e parë të këtij viti. Në mars të këtij viti në sitën e rivlerësimit profesional, integritetit dhe pasurisë kaloi anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese. Emri i tij ishte Fatos Lulo. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në gjetjet e tij tha se Lulo nuk justifikonte pasurinë, konkretisht shuma deri në 200 mijë dollarë.
Por, më pas u shkarkuan Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxhaj, deri tek i fundit që KPK e gjeti me shkelje, Gani Dizdari. I vetmi që kaloi ishte Bashkim Dedja, që bashkë me Vitore Tushën janë dy anëtarët e vetëm të Gjykatës Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.