Futboll

Premier League përgatit rikthimin, ndeshjet më pak se 90 minuta

Premier League është ende në pritje të “dritës jeshile” nga Qeveria për ‘Project Restart’ që do t’i lejojë të nisë sezonin në mesin e qershorit dhe ta përfundojë në fund të korrikut. Ndërkohë, propozohen ide të ndryshme dhe revolucionare për mënyrën si mund të mbyllet kampionati, siç e shpjegon presidenti i Shoqatës së Lojtarëve Anglezë. “Për momentin nuk dihet asgjë për të ardhmen e futbollit, janë të shumta idetë për tu diskutuar. Ka nga ata që kanë propozuar më shumë zëvendësime, ndeshje më të shkurtra se 45′, fusha neutrale. Pak rëndësi ka, ajo që duhet është të rinisim në siguri”, ka shpjeguar Gordon Taylor.

Mes 20 klubeve të Premier janë shfaqur vizione të ndryshme dhe përçarje, ku ekziston një grup klubesh që kërkojnë të mbrojnë integritetin e kampionatit në krahasim me fazën e parë, para ndërprerjes nga koronavirus: “Idealisht shumë duan të ruajnë integritetin e Premier pa ndryshime, të kthehemi të luajmë me dyer të mbyllura si në shtëpi ashtu dhe në transfertë, por çfarë do që të ndodhë, rregulli bazë duhet të jetë i njëjti: të luajmë me siguri” ka shtuar numri 1 i PFA për BBC.

Në lidhje me shqetësimet e shprehura nga Sergio Aguero, që frikësohet për shëndetin e familjarëve në rast rikthimi të nxituar: “Sergio është një lojtar i nivelit të lartë dhe ka të drejtë të thotë mendimin e tij-vazhdoi Taylor- Nuk ka të bëjë me frikën, është çështje që të jemi plotësisht të informuar nga ana e autoriteteve kompetente për të garantuar se është sa më i sigurtë rikthimi. Futbollistët janë sportistë profesionistë, natyrisht që janë të preokupuar për sigurinë e tyre, nuk janë budallenj e as naivë, kështu që duhen dëgjuar: rikthimi duhet të jetë i sigurtë dhe është një zgjedhje e tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë