Futboll

UEFA ndryshon kalendarin futbollistik, 8 mld euro projekt

UEFA po shqyrton një plan të ri radikal prej 7 miliardë paundësh britanikë (8.02 mld euro), duke përgatitur një kalendar të ri futbollistik deri në gushtin e vitit 2023 dhe do të lejojë që të gjithë kampionatet të përfundojnë këtë sezon. UEFA po studion propozimin e specialistëve holandezë të sportit Hypercube, të cilët kanë hartuar kalendarin e ri.

Holandezët propozojnë që sezoni 2020/2021 të nisë në fund të dhjetorit dhe do të mbarojë në nëntorin e 2021, me një muaj “pushim” për Euro 2020. Sezoni 2021/2022 mendohet të nisë në mes të dhjetorit të vitit 2021 për të përfunduar në 1 nëntor të vitit 2022, përpara fillimit të Botërorit.  Sezoni 2022/2023 do të luhej nga janari deri në mesin e korrikut. Një muaj pushime dhe pastaj do të fillojë sezoni 2023/2024 në mesin e gushtit, për t’u rikthyer sërish në kalendarin normal në tre vjet kohë

Drejtori i Hypercube, Pieter Nieuwenhuis ka shpjeguar këtë projekt, duke zbuluar edhe koston financiare. “Kjo është mënyra më e mirë që futbolli të rikthehet. Të gjitha sezonet do të luhen si zakonisht, por struktura do të jetë e ndryshme në vitet e ardhshme. Askush nuk e di me siguri pasojat e koronavirusit. Plani ynë është financiarisht i realizueshëm dhe do të shmangë falimentimin e shumë klubeve. Kemi llogaritur gjithçka dhe nevojitet një financim prej 7 miliard paundësh për gjithë Evropën. Mund të duket si një shumë e madhe, por duhet llogaritur që një klub i madh evropian qarkullon 30 miliard paundë në vit. Federatat po kërkojnë ndihmë financiare nga qeveritë respektive, por ne kemi propozuar një plan shumë-vjeçar të menduar mirë, i cili i ndihmon klubet në aspektin financiar.””, deklaron Pieter Nieuwenhuis.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë